Prishtina ka ndërruar sërish lokacion për t’u përgatitur për pjesën pranverore të edicionit aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Prishtina të mërkurën nisi përgatitjet në fushën me bar sintetik të stadiumit të Flamurtarit në Prishtinë. Por, te Prishtina nuk kanë ndërruar synim. Dalja në Evropë është synimi kryesor i Prishtinës. Këtë e thanë trajneri dhe lojtarët e skuadrës “bardhekaltër” të mërkurën.
“Duke marrë parasysh që çdo ditë e më mirë po organizohet klubi, kemi lojtarë cilësore dhe besoj se do t’i arrijmë objektivat e që është dalja në Evropë”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi të mërkurën për KOHËN.
Prishtina në stadiumin e Flamurtarit do ta kryejë fazën e parë përgatitore, ndërsa nga 14 janari do t’i vazhdojë përgatitjet në Antalia të Turqisë.
“Motivi është i jashtëzakonshëm, sepse duhet përqendrohemi të arrijmë objektivat e që është dalja në Evropë. Pjesa e dytë e sezonit besoj se do të jetë edhe më i suksesshëm, pasi jemi grumbulluar me kohë të gjithë. Në fillim të sezonit, 4-5 lojtarë na janë bashkuar më vonë, nuk i kemi pasur në fazën përgatitore, kurse tash e njohin më mirë njëri-tjetrin. Do të jetë një pjesë e dytë e vështirë e Superligës, por e presim me shumë optimizëm dhe me shumë dëshirë”, është shprehur Munishi.
Prishtina e nis sezonin pranveror nga vendi i tretë në tabelë me 27 pikë të mbledhura, sa ka edhe Gjilani një pozitë më poshtë. 11 pikë më shumë i kanë Drita dhe kampioni në fuqi, Ballkani, që ndajnë dy pozitat e para. Por, Munishi thotë se Prishtina ka treguar forcë të madhe përballë Dritës dhe Ballkanit.
“E kemi treguar forcën kundër ekipeve që kanë skuadra më të komponuara dhe kanë pasur stabilitet më të gjatë në aspektin e luftës sportive, por besoj se këtë sezon do të jemi edhe më kompnuar. Duke analizuar gabimet që i kemi bërë, kemi mundur të ishim fuqishëm në garë për titull dhe besoj se me gjitha këto përmirësime do të jemi një skuadër siç i ka hije edhe me emrin që e bart”, ka deklaruar Munishi.
Munishi është i kënaqur me fondin e lojtarëve, por jo edhe me infrastrukturën.
Prishtina nuk ka fushë të veten për stërvitje, ndërsa vetëm ndeshjet i lejohen t’i luajë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Nuk është viti i vetëm që Prishtina gjen strehë në fusha të klubeve tjera për stërvitje. Edhe në vitet e kaluara e ka pasur këtë problem. Por, Munishi pret që Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, t’i bëjë zgjidhje të shpejtë Prishtinës, klub që sipas tij është brend në futbollin e Kosovës.
“Pak edhe si qytet edhe si shoqëri është mëkat që Prishtina të mos i ketë kushtet optimale për punë, por kemi përkrahjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, MKRS-së dhe duhet Prishtina të ndihmohet në këtë aspekt, pasi është investim në rini, sport dhe në një klub të madh e që është brend në futbollin e Kosovës. Një guri që të vendoset për Prishtinën është shumë domethënës sepse e kap aspektin shumë dimensional”, ka thënë Munishi.
Edhe futbollistët janë të lodhur nga mungesa e një fushe për t’u stërvitur. Por, thonë se motivi për t’i arritur objektivat nuk u mungon.
“Prishtina gjithmonë ka objektiva madhore. Kushtet janë këto, por stërvitemi tek stadiumi i Flamurtarit, të cilët i falënderojmë, ndërsa neve na takon që japim maksimumin në çdo stërvitje për të arritur formën optimale për të qenë gati për fillimin e pjesës së dytë të sezonit aktual. Prishtina gjithmonë luan për pozitat e para, por sipas mendimit tim ta arrijmë Evropën këtë vit është për mua një sukses dhe për vitin tjetër të bëjmë diçka më të madhe”, ka thënë kapiteni i Prishtinës, Gledi Mici.
Ndër lojtarët më të mirë në futbollin e Kosovës, Endrit Krasniqi insiston se Prishtina është skuadër për t’u respektuar. Por, ai shqetësohet se si Prishtina nuk e ka fushën e saj për stërvitje.
Në fakt, Prishtina ka një fushë me bar sintetik në Bërnicë, por që nuk i plotëson kushtet, në veçanti gjatë sezonit të dimrit.
“Nuk e di sa është korrekte kjo lëvizja jonë. Kemi ndërruar më shumë se gjashtë fusha dhe është vështirë për një lojtar adaptimi në fushën kur je si vendës, sepse nuk e ndien veten asnjëherë vendas, kështu që presim që të zgjidhet ky problem i Prishtinës se mendoj që është bërë mjaftë më”, ka thënë Krasniqi.
Krahas Prishtinës edhe shumica e klubeve të Superligës kanë nisur përgatitjet për stinorin pranveror. Gara për titull pritet të zhvillohet në mes të Dritës dhe Ballkanit, ndërsa garë e fortë do të jetë edhe për dy vende tjera për dalje në Evropë.