Sport

Prishtina ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Ibrakoviq

Skuadra e Prishtinës ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin, Abdulah Ibrakoviq.

Klubi kryeqytetas ka njoftuar se me trajnerin boshnjak janë ndarë me marrëveshje të dyanshme.

“Prishtina e falënderon Ibrakoviqin për kontributin e dhënë në ekip që nga 17 nëntori i vitit të kaluar. Abdulah Ibrakoviq, që e udhëhoqi Prishtinën nga xhiroja e 14-t në Superligë, u largua nga klubi kryeqytetas pas ndeshjes me Ulpianën. 51-vjeçari ishte në krye të skuadrës në 26 ndeshje zyrtare në Superligë dhe në kuadër të Kupës së Kosovës. Në Superligë ka arritur nëntë fitore, katër barazime dhe tetë humbje”, thuhet në njoftimin e klubit.

Prishtinën në dy ndeshjet e radhës, ndaj Dritës dhe Llapit, do ta drejtojë Debatik Curri, i cili deri më tash e ka ushtruar rolin e ndihmës-trajnerit.

Prishtina ndodhet e pesta në renditje me 48 pikë të grumbulluara pas 34 ndeshjeve të zhvilluara.