Në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, klubi i boksit Prishtina mbajti të enjten një ceremoni, ku ishin të pranishëm dhjetëra ish-sportistë të sporteve luftarake dhe ish-kontribuues të sportit.
Prishtina është njëri prej klubeve më të lavdishme në vend. Drejtuesit e Prishtinës grumbulluan njerëz të sportit në takimin me moton: “Ejani të takohemi që të mos e harrojmë njëri-tjetrin”.
Klubi i boksit Prishtina u kujdes për të nderuar me mirënjohje ish-boksierët dhe kontribuuesit e sportit në përgjithësi.
Ishte kryetari i këtij klubi Aziz Salihu që shpërndau mirënjohjet për të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetrën kanë dhënë kontributin e tyre për sportin kosovar në periudha të ndryshme. Në mesin e të nderuarve me mirënjohje ishin edhe ish-boksierët e gjeneratës së artë, si Sami Buzolli, Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Nazif Gashi, Afrim Majanci e shumë të tjerë. Nuk u harruan as personalitete të ndryshme sportive, si Ismajl Kosumi e Ali Latifi, ndërsa mirënjohje pati edhe për ministren e MKRS-së, Vlora Dumoshi, pastaj Ibër Alajn, Besim Hasanin dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Klubi i boksit Prishtina ndau edhe mirënjohje “Post Mortum”, si dhe premtoi që në të ardhmen kjo ceremoni do të jetë edhe më madhështore.
“Dëshira ime gjithmonë ka qenë që t’i mbledh të gjithë ata sportistë e persona që kanë kontribuar në mënyrë të ndryshme për sportin e Kosovës. Megjithatë, këtë herë, situata me pandeminë ka pamundësuar që të vijnë të gjithë ata që i kemi ftuar. Le të jetë ky takim si pikënisje për të ardhmen, në mënyrë që të takohemi më shpesh. Ishim klub historik dhe nuk bën të harrohen boksierët që nuk kursyen asgjë nga vetja për emrin e Prishtinës”, tha ndër të tjera Aziz Salihu, para se të fillonte me shpërndarjen e mirënjohjeve.
“Pandemia na ka limituar për shkak se kam dashur që këtë tubim ta bëj në një turne ndërkombëtar të boksit, por besoj se herën tjetër do të kemi një ceremoni më të veçantë dhe me më shumë të pranishëm, pasi shpresoj se shumë shpejt do t’i kthehemi normalitetit”.
Në fund të kësaj ceremonie, klubi i boksit Prishtina e nderoi me një plaket kryetarin Aziz Salihu për gjithë kontributin e tij. Këtë plaket, Salihut ia ndanë Ismajl Kosumi e Nazif Gashi.