Sport

Prishtina me trajner të ri synon fitore pas shtatë ndeshjeve

Prishtina të enjten zyrtarizoi Emmanuel Egbon si trajner të ri të skuadrës. Egbo në postin e trajnerit erdhi në vend të Debatik Currit dhe të shtunën synon kthimin e Prishtinës te fitoret.

Prishtina nuk ka fituar në shtatë ndeshjet e fundit. Ka seri prej gjashtë barazimeve e një disfate dhe zë vendin e katërt me 13 pikë. Është plot dhjetë pikë prapa liderit, Ballkanit, që ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.

Pikët e plota Prishtina do t’i kërkojë në shtëpinë e saj. Nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” ballafaqohet me Gjilanin, në ndeshjen e xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës. Gjilani është në vendin e shtatë me 11 pikë.

Kapiteni aktual, Mërgim Pefqeli, kishte shënuar supergol më 5 qershor në finale të Kupës së Kosovës, pikërisht ndaj Gjilanit, dhe kishte vulosur fitoren 2:1 të Prishtinës.

Pefqeli e di se ndeshja e së shtunës është krejtësisht tjetër. E ka parasysh edhe formën e skuadrës, por beson se ndaj Gjilanit do të nisë seria pozitive e rezultateve.

“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Besoj shumë që nga kjo ndeshje do të kthehemi te fitoret dhe të vazhdojmë drejt objektivave. Gjilani është ekip që është në ngritje dhe po luan mirë. Prandaj duhet të kemi 100% përqendrim dhe angazhim për këtë ndeshje, që të dalim me pikët e plota”, ka thënë Pefqeli të premten për KOHËN.

Mesfushori ofensiv, Pefqeli, foli edhe për trajnerin Curri dhe trajnerin e ri nga Nigeria, Egbo.

“Gjithmonë kur mungojnë rezultatet trajneri largohet i pari. Trajneri Curri ka bërë punë të mirë me ne, por në shumë ndeshje edhe fati nuk ishte në anën tonë. I dëshiroj suksese kudo që është, ndërsa ne na mbetet që me trajnerin e ri të vazhdojmë punën. Çdo trajner sjell diçka të re. Edhe trajneri i ri vjen me risitë e tij. Shpresoj që së bashku do të kemi rezultate të mira”, shtoi Pefqeli.

Gjilani në këtë edicion ka tri fitore, pesë disfata e dy barazime. Fitoren e fundit e realizoi në xhiron e kaluar ndaj Fushë Kosovës. Gjilani po e merr veten, pasi e kaloi krizën organizative.

“Vijmë pas një fitoreje e cila normalisht se është shumë e rëndësishme para duelit ndaj Prishtinës në fundjavë. Ne do të udhëtojmë të bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të japim gjithçka nga vetja. Grupi sa vjen e bashkohet dhe tashmë po e njohim më mirë njëri-tjetrin, pasi që jemi një grup i ri”, ka thënë Edison Kqiku, kapiten i Gjilanit. Ai pret që Gjilani ta ketë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve “Skifterat”. Sipas Kqikut, përkrahja e tyre është shumë e rëndësishme për skuadrën.

“Synojmë që me paraqitje sa më të mira të grumbullojmë pikë dhe t’i vendosim vetes objektivat, duke shpërblyer edhe drejtuesit të cilët janë tejet korrektë. Kanë krijuar kushte dhe janë duke qëndruar afër ekipit në çdo moment”, është shprehur kapiteni gjilanas.

Ndeshja e parë e edicionit aktual mes këtyre dy skuadrave ishte mbyllur baras, pa gola.

Të shtunën luhet edhe ndeshja mes Fushë-Kosovës e Malishevës. Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 13:00.

Të dielën xhiroja e 11-të mbyllet me ndeshjet Feronikeli 74 – Ballkani, Dukagjini – Llapi dhe Drita – Liria.

Superliga – XI

E shtunë

Prishtina – Gjilani (19:00)

Fushë Kosova – Malisheva (13:00)

E diel (13:00)

Feronikeli 74 – Ballkani

Dukagjini – Llapi

Drita – Liria


1. Ballkani 9 7 2 0 18:7 23

2. Drita 9 6 3 0 16:4 21

3. Llapi 10 6 1 3 16:9 19

4. Prishtina 10 2 7 1 12:11 13

5. Malisheva 10 4 0 6 21:19 12

6. Dukagjini 10 2 6 2 12:14 12

7. Gjilani 10 3 2 5 6:10 11

8. Feronikeli 74 10 3 2 5 12:18 11

9. Liria 10 1 3 6 7:16 6

10. Fushë Kosova 10 1 2 7 8:20 5