Pesë futbollistë debutuan të shtunën për fituesen e Kupës së Kosovës, Prishtinën. Egzon Sinani, Drilon Islami, Albin Krasniqi dhe Ardian Muja luajtën nga fillimi, kurse Albion Kurtaj u inkuadrua në pjesën e dytë të ndeshjes që Prishtina e fitoi 3:1 ndaj Feronikelit ‘74. Në stol ishte edhe Ermal Veliqi, ndërsa Rilind Nimani mungoi shkaku i lëndimit.
Janë këta shtatë futbollistë që zëvendësuan shumë të larguar nga Prishtina pas triumfit në Kupën e Kosovës.
Përkundër ndryshimeve, Prishtina edhe këtë edicion e ka nisur me synimin për ta fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Ndeshja me skuadrën nga Drenasi ishte e para kampionale.
“Kemi pasur shumë ndryshime brenda ekipit, por kemi pasur kohë të mjaftueshme të komponohemi dhe mendoj që ia kemi arritur mjaft mirë duke e ditur që kemi pasur edhe shumë largime. Megjithatë, synimet e klubit si gjithnjë janë titulli i kampionit dhe Kupa e Kosovës. Kemi një ekip të ri me kualitet dhe shpresoj që në fund t’i realizojmë synimet e klubit – ta fitojmë titullin dhe kupën”, ka thënë sulmuesi Hasan Hyseni.
Hyseni shënoi golin e dytë të Prishtinës në fitoren ndaj Feronikelit ’74. Realizoi me goditje mjeshtërore. Hyseni është i lumtur me golin e shënuar.
“Një start i mirë do të thotë shumë për ekipin duke e ditur që përballë e kemi pasur një kundërshtar të fortë. Por ia dolëm ta fitojmë ndeshjen e parë shumë të rëndësishme”, ka theksuar Hyseni.
Ai ngul këmbë se Prishtina do të jetë pretendente për titull.
“Prishtina do ta ketë një ekip që do të jetë pretendent serioz për trofe. Jo rastësisht kemi fituar kupën edicionin e kaluar. Respekt do të kemi për çdo kundërshtar, mirëpo ne do të futemi në çdo ndeshje për rezultat pozitiv. Besoj në stafin dhe grupin e lojtarëve që kemi. Duke parë grupin që kemi, jemi shumë të uritur për sukses dhe për të arritur objektivat”, është shprehur Hasan Hyseni.
Hyseni dha kontribut edhe në suksesin e edicionit të kaluar, kur Prishtina fitoi kupën.
Pas triumfit në Kupë, Prishtina konfirmoi se ekipi do të drejtohet nga trajneri Debatik Curri. Shpejtë u njoftuan largimet dhe prurjet e reja. Hyseni shkëlqeu nën urdhrat e Currit dhe pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë në kampionatin që nisi të shtunën.
Klubit të kaltër iu bashkuan shumë lojtarë pasi u ndanë rrugët me Gentrit Begollin, Endrit Krasniqin, Albin Prapashticën, Gledi Micin, Shefit Shefitin, Egzon Belicën, Mendurim Hotin dhe Bujar Pllanën.
Me gol debutoi mbrojtësi Egzon Sinani. Ai shënoi golin e parë të edicionit 2023/2024. Sinani pret ta ndihmoj skuadrën drejt realizimit të synimeve edhe në ndeshjet e ardhshme.
“Si zakonisht ndeshjet e para janë shumë të vështira, por edhe shumë të rëndësishme të fitohen. Është vetëm fillimi dhe nuk duhet të bazohemi shumë në ndeshjen e parë. Nuk jemi plotësisht të komponuar, por motivi është shumë i madh. Do të jetë i tillë në çdo ndeshje. Synimi është të bëjmë një futboll të bukur. Sa u përket trofeve, duhet ta shohim fundin e kampionatit si do të shkojnë gjërat”, ka thënë Sinani.
Krahas stabilitetit në fushë, Prishtina ka bërë hapa para edhe në organizim dhe në aspektin financiar.
Ndeshjen e parë Prishtina e luajti në Hajvali, ku do të jetë vendase për një kohë. Prishtina nuk mund ta shfrytëzojë për disa javë stadiumin “Fadil Vokrri” që është thënë se po ruhet për ndeshjen e Kosovës me Zvicrën.