Derbi i xhiros së pestë në Superligën e Kosovës në futboll do të zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Prishtina do të përballet me kampionin në fuqi, Ballkanin. Ndeshja do të nisë në ora 20:00.
Te Prishtina janë të bindur se do të arrijnë fitore. Gjatë tërë javës trajneri i ekipit kryeqytetas, Ismet Munishi, ka deklaruar se me ndihmën e tifozëve do ta mposhtin Ballkanin.
Munishi ka bërë thirrje që stadiumi të jetë i mbushur dhe disa orë para se të nisë ndeshje, Prishtina ka njoftuar të gjithë biletat janë shitur.
Për dallim nga Prishtina, Ballkani ka qenë më i qetë gjatë javës. Ekipi nga Suhareka është përgatitur për derbi pa shumë zhurmë.
Prishtina dhe Ballkani nuk kanë humbje në këtë edicion.
Prishtinasit kanë arritur dy fitore dhe një barazim dhe do të jetë hera e parë që do të luajnë në “Fadil Vokrri” këtë sezon.
Ndërkohë Ballkani ka zhvilluar vetëm dy takime në Superligë, për shkak se mori pjesë në kualifikimet e Ligës së Konferencës, duke e siguruar fazën e grupeve.
Suharekasit i kanë dy fitore me rezultatin 1:0.
Ballkani ndeshjet si vendës po i luan në “Fadil Vokrri”.
Prishtina – Ballkani e mbyll javën e pestë të Superligës.
Drita e ka mposhtur thellë Llapin 4:0, të shtunën. Po të shtunën Malisheva ka fituar si mysafire e Trepçës ’89, 3:2. Të dielën Gjilani ka triumfuar në Klinë ndaj Dukagjinit 1:0 për të mbetur lider, kurse Drenica – Ferizaj është mbyllur pa gola.
Për javën e pestë dhe për tema të tjera nga futbolli do të diskutohet sonte në emisionin “Sporti Total”, nga ora 22:15. Të ftuar janë trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, dhe trajneri i futbollit, Erdin Hashani.