Sport

Prishtina “me këmbë në tokë”, synon finalen e turneut parakualifikues

Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, do të përballet me kampionen e San Marinos, Folgoren, në gjysmëfinale të turneut parakualifkues të Ligës së Kampionëve. Prishtina pra e hap edicionin e ri të Championsit, atë 2021/2022.

Ndeshja do të zhvillohet të martën në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan prej orës 20:00.

Fillimisht turneu parakualifikues ishte përcaktuar të mbahej në Torshavn të Ishujve Faroe. Por shkaku i koronavirusit dhe kufizimeve në Ishujt Faroe, turneu është zhvendosur në Shqipëri.

Për Prishtinën është hera e parë që do të paraqitet në garën më të madhe evropiane për klube. Është hera e katërt që skuadra e kaltër merr pjesë në garat evropiane. Ka qenë tri herë rresht pjesë e kualifikimeve të Ligës së Evropës.

Mesfushori Endrit Krasniqi ka deklaruar se grumbullimi që skuadra ka bërë në Elbasan para katër ditësh është shumë pozitiv. Gjendja e ekipit, sipas tij, është shumë e mirë.

“Mendoj se na ka bërë shumë mirë ky grumbullim para ndeshjes këtu në Shqipëri. Kemi krijuar një lloj adaptimi me klimën këtu, sepse është më nxehtë se te ne në Prishtinë. Gjendja e ekipit është shumë e mirë, jemi të përgatitur duke e ditur rëndësinë e këtij turneu. Na pret së pari ndeshja e parë dhe për ne është e paparashikuar, megjithëse konsiderohemi favoritë”, u shpreh Krasniqi.

Ai e pranon se nuk kanë fare njohuri për kundërshtarin.

“Të them të drejtën kundërshtarin nuk e njohim aspak, por ne duhet të marrim seriozisht ndeshjen. Në letër konsiderohemi favorit, por në fushë di të befasojë çdo ekip. Thjesht, përqendrim dhe seriozitet maksimal”, tha Krasniqi.

Edhe Gledi Mici e sheh shumë pozitiv faktin që kanë udhëtuar më herët për në Elbasan. Sipas tij, kjo do ta ndihmojë shumë skuadrën, pasi tani u janë përshtatur edhe temperaturave të larta.

“Kemi bërë shumë mirë që kemi ardhur katër ditë para ndeshjes, që të ambientohemi me klimën, sepse këtej është diku 6-7 gradë më nxehtë. Ekipi duket në formë të mirë, i përqendruar, thjesht jemi të qetë që të japim maksimumin dhe të arrijmë objektivin që ia kemi dhënë vetes”, tha Mici. Ai shtoi se nuk ka ndeshje të lehta kur përballen kampionet e shteteve. Mici ka kërkuar përqendrim maksimal për të arritur objektivin.

“Kemi dëgjuar të gjithë të thonë se këto janë ndeshje të lehta dhe Prishtina është favorite, por ne futboll nuk ka asnjëherë favorit, pasi që të tri ekipet janë kampione në vendet e tyre dhe përderisa janë kampione duhet të kenë cilësi dhe bëjnë gola. Kështu që të ulim kokën, të jemi maksimal të përqendruar dhe të japim maksimumin tonë, sepse në futboll asnjëherë nuk i dihet”, theksoi Mici.

Skuadra e Folgores ka arritur në Shqipëri vetëm të hënën. Para ndeshjes do ta kenë një seancë stërvitore.

Mesfushori Mirco Spighi ka deklaruar se përballja me Prishtinën do të jetë e vështirë. Ai ka theksuar se i vjen keq që disa prej shokëve të skuadrës me të cilët e fituan titullin nuk kanë mundur të udhëtojnë me ekipin.

“Më vjen keq që nuk kemi shokë skuadre me të cilët fituam kampionatin. Për arsye pune ata nuk ishin në gjendje të vinin. Sidoqoftë ne kemi marrë disa lojtarë të vlefshëm, të rëndësishëm dhe kemi ardhur këtu për të luajtur kartat tona, të vetëdijshëm se po takojmë një ekip të fortë. Mendoj se Prishtina është ekip i fortë, i përgatitur mirë, sigurisht që do të jetë vështirë”, deklaroi italiani Spighi.

Në gjysmëfinalen tjetër, HB Torshavn nga San Marino do të takohet me Inter Club d’Escaldes nga Andorra. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës po ashtu të martën nga ora 20:00.

Fituesit e gjysmëfinaleve do të kalojnë në finale, e cila do të zhvillohet në “Ebasan Arena” më 25 qershor.

Fituesi i turneut parakualifikues kalon në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku do ta takohet me Ferencvaroshin nga Hungaria.

Për ndeshjet ndërkombëtare, si dhe për edicionin e ri, Prishtina është përforcuar gjatë këtij afati kalimtar me tre sulmues. Ka transferuar deri me tani Xhevdet Shabanin (Drita), Mendurim Hotin (Feronikeli) dhe Bleart Tolajn (Hajduk Split). Ndërkohë zyrtarisht është ndarë me disa futbollistë, si Enis Gavazaj, Mërgim Pefqeli dhe Alban Shillova. Prishtina i ka luajtur dy ndeshje miqësore. E ka mposhtur Llapin 3:1 dhe Shkëndijën e Tetovës 2:0.

Përveç Prishtinës, në garat evropiane do të marrin pjesë edhe dy skuadra të tjera kosovare, Drita dhe Llapi. Të dyja do të paraqiten në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Drita përballet me Deçiqin e Malit të Zi derisa Llapi luan ndaj Shkupit.