Sport

Prishtina, Llapi e Feronikeli në Disiplinor për mosrespektim të kontratave me lojtarë

Tri klube të mëdha të Superligës së Kosovës në futboll janë në procedurë disiplinore për moskryerje të detyrimeve ndaj ish-futbollistëve.

Federata e Futbollit e Kosovës të martën mbrëma ka publikuar vendimet e fundit të Komisionit Disiplinor. Ky organ ka hapur procedurë disiplinore “për mosrespektim të kontratave në përmbushje të detyrimeve ndaj lojtarëve”, ndaj Feronikelit, Llapit e Prishtinës.

Janë këto klubet që vlerësohet se i paguajnë goxha shumë futbollistët. Por, sipas pretendimeve të Disiplinorit, Feronikeli, Llapi e Prishtina nuk i kanë kryer të gjitha obligimet ndaj ish-lojtarëve të tyre.

Në të vërtetë, nuk është gjë e re që klubet nuk u qëndrojnë pas kontratave që kanë me lojtarë. Por deri më tani kryesisht klubet kanë kaluar pa u ndëshkuar kur u kanë mbetur borxh lojtarëve. Tani gjërat ka gjasë që të ndryshojnë.

Sipas vendimit të Disiplinorit, Feronikeli nuk e ka respektuar kontratën me Arbër Prekazin dhe Mevlan Zekën. Të dy tashmë janë lojtarë të Ballkanit. Lojtarët kanë paraqitur kërkesat në FFK dhe Disiplinori tashmë po vepron. Kontratat me ta i ka nënshkruar kryetari i klubit nga Drenasi, Naser Rama.

Llapi nuk e ka respektuar kontratën me Albutrint Morinën, që tashmë është te Drenica. Marrëveshjen me të e ka firmosur Tahir Batatina.

Ndërkohë Prishtina është në Disiplinor për mosrespektim të kontratës me Ahmet Halitin, tashmë te Llapi.

Dy prej lojtarëve të kontaktuar nga KOHA kanë konfirmuar se e kanë dorëzuar dokumentacionin në Federatë, por nuk kanë dashur të flasin për rastet. Këtë e bëjnë me qëllim që të ruajnë raportet me ish-klubet, ndonëse ndaj tyre kanë hapur raste. Nuk bëhet fjalë vetëm për paga që nuk i kanë marrë, por edhe për shpërblime të ndryshme financiare.

“Obligohen klubet Feronikeli, Llapi e Prishtina që për Komisionin Disiplinor të ofrojnë të dhënat lidhur me kryerjen e obligimeve konform kontratave të lidhura me lojtarë për periudhën e caktuar kohore nga marrëveshja. Afati i ofrimit të të dhënave është tetë ditë”, thuhet në vendimin e Disiplinorit.