Sport

Prishtina kërkon fitoren ndaj Pejës në “Karagaçi”

Triumfi i Sigal Prishtinës vikendin e shkuar në Prizren ndaj Bashkimit, ka motivuar ekipin kryeqytetas për ta kërkuar fitoren në derbin e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Në fundjavë, Prishtina do të jetë mysafire e skuadrës së Pejës. Ndeshja Peja – Prishtina luhet të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Karagaçi” dhe është prej më interesanteve të këtij vikendi.

Te Prishtina e kanë parasysh se triumfi në Pejë nuk do të jetë aspak mision i lehtë, por janë të vendosur ta mposhtin kampionen në fuqi e cila këtë edicion ka regjistruar tri humbje.

Kapiteni i Prishtinës, Dardan Berisha, ka thënë se janë përgatitur mirë dhe se në Pejë do të udhëtojnë të motivuar për fitore. Berisha pret një ndeshje të fortë dhe atmosferë të zjarrtë në palestrën “Karagaçi”, për ta arsyetuar epitetin e derbit.

Prishtina në këtë derbi futet pas dy fitoreve rresht, ndërsa në total këtë edicion ka shtatë fitore dhe pesë humbje. Është e katërta në tabelë me 19 pikë, dy më pak se Peja që është e dyta.

“Dihet që ndeshjet mes Pejës dhe Prishtinës gjithmonë zgjojnë interesim të madh dhe për këtë arsye pres një përballje të vërtetë për të arsyetuar fjalën derbi. Po ashtu, pres që edhe atmosfera të jetë e zjarrtë si dhe të dyja ekipet të luajnë një lojë të fortë. Peja ka një ekip të mirë, por ne jemi përgatitur mirë dhe të motivuar për ta kërkuar fitoren e radhës pasi kohët e fundit po luajmë mirë. Nuk do të jetë lehtë, por në kemi synimin tonë”, është shprehur Berisha për KOHËN, të premten.

Edhe Peja i ka fituar dy ndeshjet e fundit dhe do të futet për triumf në derbi. Skuadra pejane fitoren ndaj Prishtinës e vlerëson si tejet të rëndësishme dhe gjatë tërë javës është përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Dueli i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, i zhvilluar në muajin tetor, ka përfunduar me fitoren e thellë të Pejës me shifrat 95:80. Triumf ndaj Prishtinës edhe në ndeshjen e dytë kërkon amerikani i Pejës, Justin Edler-Davis. Ai ka thënë se me padurim po e presin këtë derbi, të cilin shpreson ta fitojnë pasi do ta kenë edhe përkrahjen e madhe të publikut.

Edler-Davis ka vlerësuar Prishtinën, por ka thënë se Peja do të pajtohet veç me fitore.

“Besoj se do të jetë një ndeshje e fortë, pasi Prishtina ka treguar paraqitje të mira kohët e fundit. Ne kemi punuar mirë gjatë tërë javës dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë derbi. Sigurisht që synimi i Pejës është ta fitojë këtë ndeshje për shkak se luajmë në shtëpi dhe do ta kemi përkrahjen e publikut tonë të mrekullueshëm”, është shprehur Edler-Davis.

Të shtunën do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër, me të cilën edhe do të hapet xhiroja e 13-të. Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë skuadra e Trepçës e pret Bashkimin në ndeshjen që nis në orën 17:00. Trepça është e para në tabelë me 22 pikë dhe është në seri prej pesë fitoreve, ndërsa Bashkimi ka 16 pikë dhe në tetë ndeshjet e fundit ka vetëm një fitore.

Te Bashkimi në këtë ndeshje do të debutojë trajneri Aleksandar Jonçevski, i cili edicionin e shkuar për një periudhë ishte në krye të Trepçës. Por ishte larguar në mungesë të sukseseve.

Edhe të dielën janë në program dy ndeshje.

Prej orës 17:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra Proton Cable Prizreni e pret Golden Eagle Yllin. Ndërkohë, dueli i fundit i xhiros do të jetë ai në Gjakovë që nis në orën 19:00, ndërmjet Vëllaznimit dhe Istogut. Vëllaznimi do të synojë të kthehet te fitorja pas dy humbjeve rresht, ndërsa Istogu do të jetë në kërkim të fitores së dytë këtë edicion. Renditet i fundit në tabelë me vetëm 13 pikë të mbledhura, pesë më pak se Vëllaznimi që ka gjashtë fitore e po aq humbje.

Superliga – XIII

E shtunë

Trepça – Bashkimi (17:00)

Peja – S. Prishtina (19:00)

E diel

P.C. Prizreni – G.E. Ylli (17:00)

Vëllaznimi – Isgotu (19:00)


1. Trepça 12 22

2. Peja 12 21

3. G.E. Ylli 12 19

4. S. Prishtina 12 19

5. Vëllaznimi 12 18

6. Bashkimi 12 16

7. P.C. Prizreni 12 16

8. Istogu 12 13