Sport

Prishtina hesht pas përjashtimit nga Liga ENBL

Më 18 gusht Sigal Prishtina njoftoi se do të garojë në Grupin A të Ligës ENBL. Por me gjasë Prishtina nuk është kujdesur për të kryer detyrimet ndaj Ligës së Basketbollit të Evropës Veriore. Dhe ENBL-ja të premten njoftoi se e ka përjashtuar Sigal Prishtinën nga garat.

Është kjo një goditje jo e lehtë për klubin prishtinas, por që ndikon edhe në imazhin e basketbollit kosovar në përgjithësi.

Prishtina edicionin e kaluar garoi në ENBL. Paraqitja në këtë ligë me skuadra nga vende të ndryshme nuk është se ngjalli ndonjë interesim të madh.

Prishtina kishte planifikuar garimin edhe në edicionin 2023/2024, por duket se nuk ka bërë mirë llogaritë.

“Skuadra e kryeqytetit sot ka mësuar skuadrat me të cilat do të përballet në ENBL. Ekipi ynë përballë do të ketë ekipe mjaft konkurruese nga shtete si Lituania, Izraeli, Britania e Madhe, Polonia, Holanda, Bullgaria dhe Estonia”, shkruan në njoftimin e Sigal Prishtinës të publikuar më 18 gusht.

Sipas orarit të publikuar në ENBL, Prishtina ndeshjen e parë është dashur ta zhvillojë më 11 tetor ndaj Tartu të Estonisë. Më 31 tetor e kishte të planifikuar ndeshjen me Landstede Hammers të Holandës. Më 8 nëntor është dashur ta pres skuadrën polake Polski Cukier Start Lublin. Më 6 dhjetor është dashur ta presë Hapoel Beer Shevan e Izraelit. Më 20 dhjetor ishte e planifikuar ndeshja me Uniclub Casino Juventus të Lituanisë. Për janar ishin të programuara ndeshjet me Plevenin e Bullgarisë dhe Bristolin e Britanisë së Madhe.

ENBL-ja këtë edicion përbëhet nga dy grupe. Por tashmë Prishtina nuk është pjesë e saj.

“ENBL e ka përjashtuar Sigal Prishtinën nga garat për shkak të detyrimeve të papaguara financiare. ENBL-ja e falënderon Prishtinën për pjesëmarrjen në edicionin 2022/2023. Megjithatë për shkak të mospagimit të kontributeve financiare, përfshirë një borxh nga edicioni i kaluar, nuk është e mundur të vazhdohet bashkëpunimi ynë”, ka njoftuar ENBL-ja të premten.

Kjo ligë ka shkruar se integriteti dhe vazhdimësia janë pjesët vendimtare të një gare ndërkombëtare dhe se ENBL-ja do t’i ofrojë ato.

“Skenari me prioritet është gjendja e një ekipi zëvendësues sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka shkruar tutje ENBL-ja.

Nga Prishtina kanë heshtur lidhur me vendimin e rëndë për ta përjashtuar këtë klub nga ENBL-ja. Nuk ka ndonjë postim në profilet zyrtare, ndërsa drejtuesit e klubit nuk janë përgjigjur në thirrjet telefonike.

Ky është edicioni i tretë i ENBL-së. Skuadrat polake kanë fituar dy edicionet e para.

Prishtina në edicionin e kaluar kaloi në plejof nga vendi i katërt në grupin A. Në grup i kishte vetëm dy fitore e katër humbje, bilanc që i mjaftoi për avancim. Në çerekfinale ishte eliminuar nga skuadra polake, King Szczecin. Më 8 mars kishte barazuar 64:64 në Prishtinë, ndërsa në Poloni kishte pësuar 85:78.

Aktualisht nuk ka skuadra kosovare në liga ndërkombëtare të basketbollit, përjashto këto kupat evropiane.

Peja u eliminua menjëherë në Ligën e Kampionëve dhe vazhdon në fazën grupore të FIBA Europe Cup. Ndërkohë, Trepça javën tjetër do të paraqitet në kualifikimet e FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt i garave evropiane për klube të basketbollit.