Sport

Prishtina futet fuqishëm në garë për titull pas serisë prej 12 ndeshjeve pa humbje

Prishtinë, 24 shkurt – Tri fitore në po aq ndeshje në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll e kanë afruar Prishtinën në vetëm katër pikë larg pozitës së parë në tabelë, të cilën e mban Ballkani dhe tri më pak se Drita që është e dyta.

Të mërkurën, skuadra nga kryeqyteti mposhti Dritën me rezultatin 2:0, në derbin e javës së 21-të të Superligës. Për Prishtinën, kjo ishte fitorja e tretë brenda një muaji përballë kampiones në fuqi, Dritës. E kishte mposhtur edhe për ndeshjen e Superkupës në Antalia (3:1), si dhe e eliminoi nga 1/8 e finales së Kupës së Kosovës (1:0) pas vazhdimeve. Golat e fitores për Prishtinën në duelin e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” i shënuan Leotrim Bekteshi (17’) dhe Tun Bardhoku (87’). Ekipi nga Gjilani luajti me dhjetë lojtarë në fushë që nga minuta e 61-të, pasi mbrojtësi afrikan Henry Austine Onoka u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Në total, kjo ishte përballja e 53 ndërmjet Prishtinës dhe Dritës. Prishtina ka 24 fitore karshi dhjetë humbjeve derisa 19 ndeshje kanë përfunduar pa fitues. Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, pranoi se synimi i ekipit të tij ishte vetëm fitorja, që, sipas tij, u arrit me meritë.

“Tri pikët ishin objektivi kryesor në këtë ndeshje dhe jam i kënaqur me fitoren, por edhe paraqitjen e ekipit. Duhet përgëzuar futbollistët që u angazhuan maksimalisht. Megjithatë, shpresoj të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë dhe të bëhemi gati ndeshje pas ndeshjeje”, deklaroi Ramadani.

Ai shtoi se brenda një periudhe të shkurtër u përballën tri herë me Dritën dhe ia dolën që të shënonin fitore. Ramadani theksoi se asnjëherë nuk janë ankuar, edhe pse kanë pasur lëndime dhe mungesa për arsye të ndryshme gjatë këtij edicioni, që nuk e nisën mirë.

“Ishte periudhë e shkurtër që u takuam me Dritën tri herë dhe ia dolëm mjaft mirë. Luajtëm kundër një skuadre shumë të mirë. Ne kemi pasur mungesa të vazhdueshme, por asnjëherë nuk jemi ankuar dhe as nuk do të ankohemi. Unë llogaris dhe besoj te të gjithë lojtarët”, tha Ramadani.

Seria pozitive e Prishtinës ka nisur që nga ndeshja kundër Arbërisë më 4 nëntor të vitit të shkuar, duel që e kishte fituar 1:0. Në 12 ndeshje rresht në kampionat, Prishtina nuk ka pësuar asnjë humbje, duke shënuar nëntë fitore dhe tri barazime. Që nga ajo kohë, ka edhe dy fitore në Kupë dhe një në Superkupë, që e çojnë bilancin në 15 ndeshje rresht pa humbje në të gjitha garat.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, tha se ndaj Prishtinës i ka munguar vetëm fati. Sipas tij, paraqitja e skuadrës së tij ishte shumë e mirë.

“Personalisht mendoj që kemi pasur një paraqitje të mirë në përgjithësi, ishim më lart se kundërshtari, por thjesht na mungoi përqendrimi. Në duelin kundër Trepçës ’89 kemi luajtur keq, por ndaj Prishtinës kishim një paraqitje të mirë dhe mendoj se na mungoi vetëm fati në këtë ndeshje”, ka thënë Nuhiu.

Për Dritën e trajnerit Ardian Nuhiu ishte humbja e dytë në tri ndeshjet e para të stinorit pranveror të Superligës, të cilat e kanë larguar nga pozita e parë në tabelë.

Të mërkurën është zhvilluar edhe ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit, e cila është mbyllur me rezultatin 1:1. Ky barazim më shumë i ka konvenuar Ballkanit, që mbetet në vendin e parë me 45 pikë të mbledhura, një më shumë se Drita që renditet e dyta. Në anën tjetër, Gjilani ende nuk e ka shijuar fitoren në pranverë, ka dy barazime dhe një humbje, ndërsa kur i shtohet edhe eliminimi në Kupë nga Istogu, atëherë konfirmohen rezultatet negative të ekipit, që po drejtohet nga trajneri Bylbyl Sokoli.

Të dy golat e ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan janë shënuar në pjesën e dytë. Mevlan Zeka që hyri në lojë në pjesën e dytë e kaloi Ballkanin në epërsi në minutën e 75-të, me një gol të bukur nga gjuajtja e lirë. Rezultatin në 1:1 e barazoi Darko Nikaq në minutën e 78-të.

Në fund të ndeshjes, gjyqtari kryesor Dardan Çaka dha penallti për Gjilanin, por më pas e ndryshoi vendimin e tij. Me 31 pikë, Gjilani zë vendin e katërt. E tri pikë të rëndësishme të mërkurën i ka arkëtuar Trepça ’89, që në stadiumin “Riza Lushta” e ka mposhtur Llapin me rezultatin 1:0. Golin e fitores për “minatorët” e realizoi Mohamad Darwish në minutën e 45-të nga gjuajtja e lirë. Ky ishte triumfi i dytë rresht i 89-shit, pas fitores në javën e shkuar ndaj Dritës në udhëtim. Ndërkaq për Llapin ishte disfata e dytë në tri ndeshjet e stinorit pranveror. Me 28 pikë, Trepça ’89 renditet në pozitën e pestë në tabelë derisa Llapi është i shtati me 23 pikë të grumbulluara. Të enjën zhvillohen edhe dy ndeshjet e fundit të xhiros së 21-të. Në Drenas, Feronikeli e luan derbin rajonal kundër Drenicës, kurse Besa e Pejës është nikoqire e Arbërisë. Të dyja takimet nisin nga ora 13:00.

Superliga – Java XXI

E mërkurë

Prishtina – Drita 2:0

(L. Bekteshi 17’, T. Bardhoku 88’)

Gjilani – Ballkani 1:1

(D. Nikaq 78’ – M. Zeka 75’)

Trepça ’89 – Llapi 1:0

(M. Darëish 45’)

E enjten (13:00)

Feronikeli – Drenica

(Arbitra: S. Isufi, A. Ejupi, T. Ibërdemaj, V. Hoxha)

Besa – Arbëria

(Arbitra: M. Ajeti, L. Muhadri, A. Bullatovci, B. Ajeti)

 1. Ballkani 21 14 3 4 48:26 45

 2. Drita 21 13 5 3 32:17 44

 3. Prishtina 21 12 5 4 35:13 41

 4. Gjilani 21 8 7 6 21:21 31

 5. Trepça'89 21 8 4 9 23:29 28

 6. Feronikeli 20 5 9 6 23:18 24

 7. Llapi 21 7 2 12 24:26 23

 8. Arbëria 20 6 4 10 18:25 22

 9. Drenica 20 5 5 10 12:28 20

10. Besa 20 1 4 15 13:46 7