Skuadra e Llapit assesi ta marrë veten këtë sezon. Ekipi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina pësoi humbje edhe në ndeshjen e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në futboll nga Prishtina. Dueli i luajtur të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, përfundoi me rezultatin 2:0 në të mirë të ekipit mysafir. Për Llapin, kjo ishte humbja e dytë rresht dhe e nënta këtë edicion në 13 ndeshje të zhvilluara, ku ka regjistruar edhe dy fitore e dy barazime. Renditet në pozitën e parafundit në tabelë me tetë pikë të mbledhura, dy më shumë se Besa e Pejës që zë vendin e fundit, dhe të mërkurën pësoi humbje si mysafire e Trepçës ’89 me shifrat 4:2. Mesfushori Endrit Krasniqi (75’) dhe sulmuesi Leotrim Kryeziu (90’+1) shënuan golat për fitoren e Prishtinës që regjistroi triumfin e dytë rresht dhe renditet në pozitën e katërt në tabelë me 21 pikë të grumbulluara.
“Më vjen mirë që fituam ndaj Llapit pasi kemi bërë ndeshje të tilla të mira, por që nuk fitonim në fund. Ndaj Llapit e kishim kontrollin e lojës, posedimin e topit dhe rezultatin gjatë gjithë kohës. Në pjesën e parë patëm kujdes ndaj kundërshtarit, kurse në të dytën sulmuam dhe i gjetëm golat. Uroj lojtarët për fitoren, ndonëse nuk kemi bërë diçka të madhe, por jam i lumtur që kemi gjetur formën dhe rezultatet e mira”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani.
Në fakt, rastin më të mirë në pjesëlojën e parë në këtë ndeshje e pati skuadra e Llapit. Sulmuesi Ahmed Januzi dështoi nga penalltia në minutën e 12-të, duke e qëlluar shtyllën. Januzi pati edhe një rast në minutën e 72-të, por portieri mysafir Eglant Haxho ia mohoi golin. Tre minuta më vonë, Prishtina kaloi në epërsi nëpërmjet Krasniqit që përfitoi nga asistimi i Leonit Abazit. Rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vulosi sulmuesi Kryeziu, që shënoi nga afërsia pas asistimit të Besnik Krasniqit nga krahu i djathtë. Kryeziu e shënoi golin në minutën e parë të kohës shtesë.
“Mendoj që ishte një ndeshje e vështirë për ne, por pjesa e parë ishte totalisht e jona. Normal që kur e humb penalltinë, atëherë edhe e humb ndeshjen. Pranuam dy gola të lehtë që nuk duhet të pranohen”.
“Në çdo aspekt Llapi ka qenë më kërkues, më dominues. Ne patëm rastet më të mira, por nuk arritëm të shënojmë, ndërsa Prishtina realizoi me gjysmë raste”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Edhe skuadra e Besës ka vazhduar me humbje pasi regjistroi disfatën e tretë rresht dhe të dhjetën këtë sezon. Pejanët u mposhtën 4:2 në stadiumin “Riza Lushta” nga Trepça ’89, ekip që iu kthye fitores pas tri humbjeve rresht. Dy gola nga Sadat Berisha (4’, 64’) dhe dy të tjerë nga Muhamed Darwish (22’, 24’), ia siguruan Trepçës ’89 triumfin. Me këtë fitore, 89-shi ngrihet në kuotën e 17 pikëve dhe zë vendin e shtatë në tabelë, derisa Besa mbetet në pozitën e fundit me vetëm gjashtë pikë të mbledhura. Ardi Tahiri (44’) e Sebastian Marques (53’) ishin golashënues te Besa.
“E kemi ditur që me Besën do të jetë një ndeshje e vështirë për shkak të traditës që e ka si ekip në futbollin kosovar. Mendoj se fituam me meritë dhe morëm tri pikë të rëndësishme për vazhdimin e kampionatit”, shtoi trajneri i Trepçës 89, Shpëtim Idrizi.
Xhiroja e 14-të e Superligës do të mbyllet me ndeshjen e fundit, që do të zhvillohet të enjten prej orës 13:00. Në stadiumin “Bajram Aliu” të Skenderajt, skuadra e Drenicës e pret Ballkanin që është lider me 29 pikë të tubuara dhe nuk di për humbje në katër ndeshjet e fundit. Ballkani gjithashtu ka një ndeshje më pak të zhvilluar se Drenica. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli në këtë takim futet pas humbjes që e pësoi xhiron e shkuar si mysafire e Gjilanit (1:0). Ekipi nga Skenderaj, pas 13 ndeshjeve të zhvilluara këtë edicion, renditet në pozitën e pestë në tabelë me 18 pikë të mbledhura.
Superliga – XIV
E martë
Drita – Feronikeli 1:1
(Shënues: Ajzeraj 75’ – Hoti 40’)
Arbëria – Gjilani 1:0
(Shënues: Bilalli 72’)
E mërkurë
Llapi – Prishtina 0:2
(Shënues: Krasniqi 75’, Kryeziu 90’+1 )
Trepça ’89 – Besa 4:2
(Shënues: Berisha 4’, 64’, Darwish 22’, 24’ – Tahiri 44’, Marques 53’)
E enjte (13:00)
Drenica – Ballkani
(Arbitra: M. Bejtullahu, E. Bicaj, V. Kelmendi, V. Ibërdemaj)
