Pas barazimit befasues pa gola në fundjavën e shkuar ndaj Gjilanit, Prishtina të shtunën është rikthyer te fitorja. Skuadra e drejtuar nga Debatik Curri mposhti Malishevën me rezultatin 3:1, në kuadër të javës së tretë të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali. Me fitoren e dytë, Prishtina është bërë lidere e Superligës me shtatë pikë. Me një pikë më pak në vendin e dytë është Malisheva. Për Malishevën ishte humbja e parë pas dy fitoreve në dy xhirot e para.
Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri është ndarë i kënaqur me fitoren e arritur përballë Malishevës. Por ai nuk pajtohet me lojtarët e tij me mënyrën si e pësuan golin për 3:1. “E vetmja pjesë që nuk më pëlqeu në ndeshje ishte momenti kur pësuam golin. Nuk duhet ta mendojmë se në cilën minutë apo kohë jemi duke luajtur. Ajo pjesë ma zbehu fitoren paksa, megjithatë luajtëm mirë dhe arritëm t’i fitojmë pikët e plota pas atij barazimi dëshpërues ndaj Gjilanit. Malisheva mendoi se ka një skuadër shumë të mirë. Por ne i kemi kryer detyrat tona dhe arritëm ta fitojmë këtë ndeshje me meritë. Ka qenë e vështirë t’i motivoj lojtarët pas barazimit ndaj Gjilanit, por jam i kënaqur me fitoren. Fitorja u arrit falë angazhimit të lojtarëve, të cilëve ua uroj këtë fitore”, ka thënë Curri.
Golin e parë e shënoi Leotrim Kryeziu. Ai shënoi nga penalltia në minutë e 11-të. Golin e dytë për ekipin nga kryeqyteti e shënoi Drilon Islami në minutë e 38-të. Golin e tretë Prishtina e realizoi në minutë e 63-të pas një aksioni të shkëlqyer. Hasan Hyseni shënoi nga afërsia me asistim të Jalen Blesas.
Golin e nderit për mysafirët e shënoi Mathieu Ndjigi në minutën e 68-të.
Në ndeshjen e ardhshme, Prishtina do të përballet me Llapin, kurse Malisheva e pret Feronikelin ‘74’.
Trajneri i Malishevës, Senad Alirifa është shumë i zhgënjyer me humbjen e pësuar nga Prishtina. Ai pranon se lojtarët e tij luajtën dobët.
“Nuk jam i kënaqur as me rezultatin e as me lojën. Në pjesën e parë kemi shfaqur pasiguri dhe kemi gabuar shumë. Në pjesën e dytë u munduam ta rifreskojmë ekipin, por një gjë të tillë ia arritëm deri diku. Zhvilluam ndeshje të dobët. Duhet parë se ku kemi gabuar. Prishtina me meritë fitoi ndeshjen. E deshi më shumë fitoren”, ka thënë Alirifa.
Ndërkohë, Feronikeli ’74 e ka shënuar fitoren e parë të edicionit aktual të elitës së futbollit kosovar. Skuadra nga Drenasi mposhti Gjilanin me rezultatin minimal, 1:1. Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Golin e fitores e shënoi Shpresim Zoku në minutën e 86-të. Feronikeli ’74 zë vendin e gjashtë me tre pikë, kurse Gjilani ka një pikë.
Trajneri i Feronikelit ’74, Xhengis Rexhepi ka thënë se ekipi tij ka arritur fitore shumë rëndësishme.
“Ishte fitore e rëndësishme pas dy disfatave në udhëtim. Ishte ndeshje e vështirë, pasi nuk kishim njohuri për kundërshtarin. Kemi bërë përgatitje për aq sa kishim informacione. E dinim se do të ishte ndeshje e rëndë, pasi Gjilani është në riorganizim. Pjesa e parë ishte disi më e barabartë, por në pjesën e dytë ishim më kërkues dhe shënuam golin e fitores”, ka thënë Rexhepi.
Feronikeli ’74 luan ndaj Malishevës, në kuadër të javës ë katërt.
Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani ka thënë se do t’i bënte mirë ekipit të tij nëse do ta fitonte edhe një pikë tjetër.
“Patëm paraqitje të mirë në pjesën e parë. Do të ishte mirë një barazim tjetër. Nuk ia dolëm ta mbanim ritmin e kundërshtarit. Por ne jemi në përgatitje e sipër. Nëse do të kishim bërë më shumë kujdes në defensivë, mund të merrnim një barazim. Por ky ekip më jep shpresë, sepse ka karakter. Edhe pse humbëm, luajtëm më mirë se në ndeshjen e kaluar”, ka thënë Mezani.
Gjilanin e pret një tjetër përballje e vështirë. Në xhiron e katërt luan në udhëtim ndaj kampionit të Kosovës, Ballkanit.
Superliga – III
E shtunë
Prishtina – Malisheva 3:1
Feronikeli ’74 – Gjilani 1:0
E diel (16:00)
Drita – Ballkani (e shtyrë)
Fushë- Kosova – Llapi
Dukagjini - Liria
