Kampionia në fuqi, Prishtina, është skuadra e vetme kosovare e futbollit që ende nuk ka shënuar fitore në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Pesë skuadra të tjera, Ballkani, Drita, Gjilani, Malisheva dhe Llapi, shënuan fitore të enjten. Edhe Prishtina luajti të enjten, por mbeti sërish pa fitore.
Prishtina është mposhtur në ndeshje përgatitore nga Gorniku polak me rezultatin 2:1. Gorniku garon në Superligën e Polonisë. Golin e vetëm për Prishtinën e shënoi sulmuesi Agim Zeka në minutën e 85-të.
Në njoftimin e Prishtinës thuhet se trajneri Abdullah Ibrakoviq në këtë duel ka aktivizuar kryesisht lojtarët e rinj dhe ata që nuk kanë pasur shumë hapësirë në dy miqësoret e para, me Chernomoretsin e Atyrautin.
Në tri miqësore të zhvilluara deri më tani Prishtina ka dy humbje e një barazim. Ndeshjen e ardhshme Prishtina e luan të shtunën kundër ekipit nga Rusia, Alanya.
Ndërkohë, nënkampionia Drita ka vazhduar me rezultate pozitive në miqësore. Drita të enjten ka mposhtur thellë Përfaqësuesen U23 të Irakut, me rezultatin 4:1.
Ard Limani (20’), Albin Krasniqi (44’, 53’) e Ardian Cuculi (76’) ishin shënues në këtë fitore të Dritës. Për Dritën kjo ishte miqësorja e tretë e luajtur deri më tani në Antalia.
Me herët ekipi i trajnerit Ardian Nuhiu e ka mposhtur ekipin nga Austria, Floridsdorfer AC (2:0), ndërsa ka barazuar me Chornomorets Odessa të Ukrainës (1:1).
Kampioni i stinorit vjeshtor, Gjilani, të enjten ka fituar përballë ekipit elitar të Kazakistanit, Shakhter Karagandy, me rezultatin 2:0. Albert Dabiqaj dhe Gerhard Progni i shënuan golat për Gjilanin.
Për Gjilanin kjo është fitorja e dytë në tri miqësoret e luajtura deri më tani në qytetin bregdetar turk. Ka edhe një humbje.
Fitore arriti të enjten edhe Ballkani i Suharekës. Ballkanit i ka mjaftuar goli i mesfushorit Meriton Korenica për ta fituar miqësoren përballë ekipit elitar të Ukrainës, Oleksandriya (1:0). Korenica realizoi në minutën e 30-të. Për Ballkanin kjo ishte fitorja e dytë në tri miqësore të zhvilluara deri më tani. Para Oleksandriyas, ekipi nga Suhareka e ka mposhtur edhe FC Nyiregyhazan (6:1), ndërsa ka luajtur pa gola ndaj ekipit nga Bullgaria, Arda.
Llapi mposhti skuadrën e Maqedonisë së Veriut, Akademija Pandev, me rezultatin 2:0. Golin e parë e shënoi Alban Shillova në minutën e 74-t, ndërsa dhjetë minuta më vonë Drilon Fazliu shënoi golin e dytë.
Për Llapin ishte ndeshja e dytë përgatitore, ndërsa pati barazuar pa gola kundër Olimp Dolgoprudnyt të Rusisë.
“Janë ndeshje shumë të mira sepse po përballemi me skuadra të forta dhe po e testojmë ekipin e po ashtu edhe forcën që kemi. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina për KOHËN.
Llapi të premten luan ndaj Akhmat Groznyt, pjesë e të cilit ekip është Bernard Berisha.
Malisheva e ka mposhtur ekipin elitar të Kazakistanit, Kyzylzhar, me rezultatin 2:1. Mërgim Pefqeli dhe Hasan Hyseni shënuan për malishevasit. Kjo ishte fitorja e dytë e Malishevës në Antalia, pas asaj që e arriti ndaj Lokomotivës B të Moskës (1:0). Malisheva e ka edhe një humbje nga ekipi i kategorisë së dytë të Bullgarisë, Montana (2:0).
Në bregdetin turk po përgatiten edhe Dukagjini e Ulpiana.