Dueli mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit do të jetë ndër më interesantit në kuadër të xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ky derbi zhvillohet të shtunën në Prishtinë dhe nis në orën 19:00. Te Prishtina janë të vendosur ta ndalin serinë e Bashkimit dhe në të njëjtën kohë të regjistrojnë fitoren e tretë rresht. Bashkimi në këtë ndeshje futet pas një serie prej tri fitoreve, por te Prishtina janë të motivuar për ta mposhtur ekipin nga Prizreni. Ish-lojtari i Bashkimit, Fisnik Rugova, i cili këtë edicion është kthyer te Prishtina, vlerëson lart ekipin nga Prizreni. Rugova pret një përballje të fortë, por beson se Prishtina me përkrahjen e tifozëve do ta shënojë fitoren e tretë rresht dhe të dytën nën drejtimin e trajnerit Jaksha Vuliq.
Prishtina është e treta në tabelë me 30 pikë të tubuara, pesë më shumë se Bashkimi që renditet në pozitën e pestë.
“Është një ndeshje e fortë ndërmjet dy skuadrave që kohët e fundit kanë fituar dhe kanë treguar paraqitje të mira. Sigurisht që jemi përgatitur gjatë tërë javës dhe do të futemi të motivuar për ta fituar ndeshjen. Po ashtu luajmë në shtëpi dhe me përkrahjen e tifozëve besoj se do ta shënojmë fitoren e radhës edhe pse nuk do të jetë lehtë”, ka thënë Rugova të premten.
Edhe Bashkimi udhëton i motivuar drejt Prishtinës. Fundori Altin Morina ka insistuar se Bashkimi synon fitoren e katërt rresht, e cila edhe do të ishte seria me e gjatë e ekipit prizrenas në këtë edicion. Morina ka pranuar se Bashkimin e pret një ndeshje e vështirë me Prishtinën, ekip që ka treguar paraqitje të mira xhirot e fundit.
“Besoj se do të jetë një ndeshje derbi, siç janë gjithmonë ndeshjet mes Bashkimit dhe Prishtinës. Nuk do të jetë lehtë, por jemi gati dhe të përgatitur maksimalisht. Po ashtu, loja e mirë dhe tri fitoret e fundit na kanë motivuar edhe më shumë për të kërkuar suksesin e radhës edhe në këtë ndeshje”, ka thënë Morina.
Xhiroja e 19-të do të hapet të shtunën prej orës 17:00. Në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, skuadra e Vëllaznimit e pret Golden Eagle Yllin, ekip që ditë më parë e largoi trajnerin Kostas Flevarakis.
Të dyja ekipet në këtë ndeshje futen pas humbjeve që i pësuan xhiron e shkuar. Vëllaznimi pësoi në Mitrovicë nga Trepça, ndërsa Ylli në Suharekë u mposht nga skuadra e Pejës. Vëllaznimi renditet i pesti në tabelë me 26 pikë, dy më pak se Ylli që zë vendin e katërt. Pritet ndeshje shumë e fortë dhe të dy skuadrat do t’i kërkojnë pikët e radhës. Vëllaznimi natyrisht llogarit edhe në përkrahjen e madhe nga tribunat.
Edhe të dielën do të zhvillohen dy ndeshje, me të cilat edhe do të mbyllet xhiroja e 19-të.
Proton Cable Prizreni e pret skuadrën e Trepçës në duelin që luhet në Prizren dhe nis në orën 17:00. Prizreni është i parafundit në tabelë dhe në seri prej katër humbjeve, ndërsa Trepça prin me 34 pikë. Skuadra mitrovicase i ka fituar 11 ndeshjet e fundit. Pret fitoren e radhës në Prizren.
Ndërkohë nga ora 19:00 Peja përballet me Istogun në ndeshjen që luhet në palestrën “Karagaçi”. Peja është favorite absolute ndaj Istogut, ekipi me vetëm një fitore këtë edicion në elitën e basketbollit kosovar. Peja është e dyta, por ka mbetur tri pikë prapa Trepçës.
Superliga – XIX
E shtunë
Vëllaznimi – G.E. Ylli (17:00)
S. Prishtina – Bashkimi (19:00)
E diel
P.C. Prizreni – Trepça (17:00)
Peja – Istogu (19:00)
1. Trepça 18 34
2. Peja 18 31
3. S. Prishtina 18 30
4. G.E. Ylli 18 28
5. Vëllaznimi 18 26
6. Bashkimi 18 25
7. P.C. Prizreni 18 23
8. Istogu 18 19