Sport

Prishtina e motivuar nga rezultatet e fundit, synon fitoren ndaj Dritës

Tri fitoret e fundit në të gjitha garat bëjnë që kampionia në fuqi, Prishtina, të jetë maksimalisht e motivuar në ndeshjen përballë nënkampiones, Drita. Dueli mes Dritës dhe Prishtinës, është më interesanti në kuadër të xhiros së 26-të në Superligën e Kosovës në futboll, që hapet të shtunën dhe përfundon të dielën. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në qytetin e Gjilanit. Drita është e treta në tabelë me 43 pikë, tetë më pak se lideri, Ballkani, ndërsa Prishtina ka mbetur prapa në luftën për titullin e kampionit. Renditet e pesta me 32 pikë të mbledhura. Megjithatë, Prishtina javët e fundit është rikthyer te rezultatet pozitive, saktësisht fitoret. Ka dy fitore rresht në kampionat, dhe një në Kupën e Kosovës. Në mesjavë u kualifikua në gjysmëfinale të kësaj gare, pasi e eliminoi Ballkanin në udhëtim që e mposhti 2:1 pas vazhdimeve. Edhe Drita ka avancuar në mesin e katër ekipeve më të mira në Kupë, pasi pa telashe e mposhti Ulpianën me rezultatin 3:0.

“Me rëndësi është që ne e kemi kthyer vetëbesimin, falë paraqitjeve të mira dhe fitoreve në ndeshjet e fundit, dhe kjo është një arsye shumë e fortë para ndeshjes me Dritën. Është një ndeshje derbi, në të cilën duhet të japim maksimumin nga vetja për t’i marrë pikët që janë të rëndësishme. Unë besoj në ekipin tim dhe jam i bindur që do të luftojmë për çdo top dhe çdo milimetër në fushë”, ka paralajmëruar trajneri i Prishtinës, Abdullah Ibrakoviq.

Të dielën luhet edhe një ndeshje tjetër, por prej orës 13:00. Ballkani e pret në shtëpi skuadrën e Drenicës, takim në të cilin synon të kthehet te fitorja pas humbjes dhe eliminimit nga Prishtina në Kupë. Në gjashtë ndeshje kampionale në pranverë, Ballkani ka pesë fitore dhe një humbje, ndërsa Drenica nuk di për fitore në dy duelet e fundit, ku ka një humbje dhe një barazim. E te fitorja pas dy barazimeve rresht po synon të kthehet edhe Gjilani, i cili u eliminua në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Gjilani është i dyti në tabelë me 48 pikë dhe do të jetë mysafir i Malishevës, ndeshje kjo që luhet të shtunën prej orës 13:00.

“Na pret një ndeshje e vështirë edhe për faktin që kemi pasur disa rezultate jo shumë të mira së fundmi, por edhe për faktin se Malisheva ka një skuadër shumë të mirë, që e ka dëshmuar disa herë brenda këtij sezoni ndaj ekipeve më të mira në Superligë”, ka thënë mesfushori i Gjilanit, Donjet Shkodra.

Në anën tjetër, Malisheva është në formë fantastike, pasi ka tubuar nëntë pikë në tri ndeshjet e fundit, në të cilat ka mposhtur Feronikelin, Ballkanin dhe Drenicën. Ka 32 pikë dhe është e gjashta.

“Presim të japim më të mirën ndaj Gjilanit dhe natyrisht që duam fitore, sepse luajmë në shtëpi dhe nuk mendojmë për rezultat tjetër. Jemi në formë të mirë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë për të shënuar fitoren e radhës, pavarësisht se përballë kemi një ekip të fortë si Gjilani”, u shpreh kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu.

Të shtunën, në të njëjtën kohë, zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Skuadra e Llapit e pret Dukagjinin në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ndërsa Ulpiana do të luajë në udhëtim te Feronikeli, që tashmë është përshëndetur nga Superliga.

Superliga – 26

E shtunë

Malisheva – Gjilani (13:00)

Llapi – Dukagjini (13:00)
Feronikeli – Ulpiana (13:00)

E diel

Ballkani – Drenica (13:00)

Drita – Prishtina (13:30)

1. Ballkani 25 15 6 4 39:17 51

2. Gjilani 25 12 12 1 35:20 48

3. Drita 25 12 7 6 34:17 43

4. Llapi 25 11 8 6 42:29 41

5. Prishtina 25 8 8 9 31:25 32

6. Malisheva 25 9 5 11 32:30 32

7. Drenica 25 9 5 11 33:34 32

8. Dukagjini 25 5 11 9 22:29 26

9. Ulpiana 25 5 8 12 22:42 23

10. Feronikeli 25 3 2 20 9:56 11