Një tjetër mesazh për përkrahje masive ka lëshuar Ismet Munishi të shtunën, një ditë para duelit kundër Ballkanit. Trajneri i Prishtinës rikonfirmoi rëndësinë që tifozët e skuadrës e kanë për lojtarët në fushë. Ditë më parë Munishi theksoi se nuk merr përgjegjësi për rezultat tjetër pos fitores, të cilën pret t’ia sigurojnë tifozët me përkrahjen e madhe. Në video-mesazhin e publikuar në llogarinë e tij në Facebook, thotë se e diela do të jetë natë e madhe për Prishtinën. Prishtina të dielën në orën 20:00 e pret kampionin e Kosovës në futboll, Ballkanin. Do të jetë ndeshja e parë që “bardhekaltrit” do ta zhvillojnë sivjet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe i takon xhiros së pestë të Superligës. Këtë fushë e njeh mirë edhe skuadra e Ballkanit që sivjet ka zhvilluar numër të konsiderueshëm ndeshjesh. Kjo edhe për faktin e pjesëmarrjes në kualifikimet e garave evropiane.
“Të dielën mbrëma do të jetë kënaqësi të jesh prishtinas dhe anëtar i FC Prishtinës. ‘Plisat’ do të japin leksion falas për ata që duan të mësojnë”, ka thënë Munishi për faqen zyrtare të klubit, por Ballkanin e ka vlerësuar shumë.
E mobilizimin e madh të Prishtinës dhe të tifozëve të saj te Ballkani po mundohen që ta kthejnë në motivim. Kështu ka thënë ish-futbollisti i Prishtinës, Meriton Korenica, që ka qenë në formë shumë të mirë në kualifikimet evropiane duke shënuar katër gola.
“Presim që ta japim maksimumin e të vazhdojmë ecurinë pozitive që e kemi në ligë dhe të vazhdojmë deri në fund me ecuri pozitive. Sa më shumë tifozë në stadium, aq më mirë për neve. Shpresojmë ta marrim fitoren e radhës”, ka thënë Korenica të shtunën për KOHËN.
Një tjetër ish-futbollist i Prishtinës, mbrojtësi Armend Thaqi, ka përgëzuar Prishtinën për mobilizimin, por shton se Ballkani është kampion dhe i tillë duhet të sillet edhe në fushë.
“Mobilizim shumë i mirë i Prishtinës, sepse në fillim të kampionatit kanë marrë rezultate të mira, por edhe ne kemi mobilizimin dhe motivimin tonë sepse jemi kampion dhe duhet ta tregojmë atë në fushë. Do të jetë e vështirë, por assesi e pamundur sepse skuadra është në kulmin e formës. Shpresojmë t’i kënaqim tifozët që do ta shikojnë këtë ndeshje”, ka thënë Thaqi, duke shtuar se i gjithë ekipi nuk do të kursehet për asgjë dhe do të kërkohet vetëm fitorja. “Ndeshja kryesore e jona është të dielën në mbrëmje dhe e them me bindje që nuk do të kursehemi aspak për të enjten, sepse ka kohë për rikuperim. Të dielën është ndeshja kryesore e pastaj vijnë ndeshjet e tjera”, theksoi Thaqi.
Prishtina në tri ndeshje të zhvilluara sivjet në Superligë ka marrë shtatë pikë. Pozicionohet në vendin e tretë. Ballkani ka zhvilluar vetëm dy ndeshje dhe i ka gjashtë pikë në vendin e katërt. Aventurën në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës e nis të enjten ndaj Clujit në Prishtinë. Dy ndeshjet tjera të xhiros së pestë të Superligës të dielën që nisin nga ora 15:00, janë Dukagjini – Gjilani dhe Drenica Ferizaj.