Prishtina e Arbëria kanë bilanc të njëjtë në tri ndeshjet e fundit. Bilanc negativ – tri humbje. Por si Prishtina ashtu edhe Arbëria synojnë këndelljen në xhiron e 11-të të Superligës së Kosovës në futboll. Përballjen kundër njëra-tjetrës do ta kenë të mërkurën (sot) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, prej orës 13:30. Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, ka thënë se për të dyja skuadrat do të jetë ndeshje e vështirë.
“Ndeshja do të jetë e vështirë, sepse të dyja ekipet në xhirot e fundit kemi gabuar, por unë besoj shumë në lojtarët e mi që me angazhim dhe lojë të mirë t’u kthehemi rezultateve pozitive. Do të mbështetem në vetëmohimin dhe angazhimin e lojtarëve. Nuk u ka munguar asnjëherë dhe meritat më të mëdha në fitore dhe gëzime janë të atyre”, ka thënë Morina për KOHËN.
Prishtina e Arbëria janë përballur dy herë mes vete. Prishtina e ka fituar ndeshjen e Kupës së edicionit të kaluar me rezultatin minimal (1:0), ndeshje që u zhvillua në dhjetor të vitit të kaluar, kurse përballja e parë e tyre këtë edicion në elitën e futbollit kosovar ka përfunduar pa fitues (1:1). Prishtina është në vendin e gjashtë me 11 pikë të tubuara, sa i ka edhe Arbëria, por që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
“Në këtë situatë që ndodhemi, do të thosha që të gjithë jemi të zhgënjyer dhe pikësëpari para se të them diçka për ndeshjen e radhës, ndiej hapësirën që t’u kërkoj falje tifozëve për këto rezultate që i kemi, sepse nuk i kanë aspak hije një ekipi siç është Prishtina. Por besoj se nga i pari unë e deri te lojtari i fundit ndiejmë përgjegjësi të madhe dhe çdo ditë mendojmë se s’i ta kthejmë situatën në favorin tonë. Andaj, ndeshja nesër është një rast tepër i mirë për t’u kthyer te fitorja dhe mos të ndalemi më, sepse na duhet pikësëpari për moralin që të ringrihemi dhe së dyti të shkojmë te rezultatet pozitive”, është shprehur mbrojtësi i majtë i Prishtinës, Gledi Mici.
Ndërkohë të mërkurën (sot) luhen edhe dy ndeshje tjera në kuadër të kësaj xhiroje, ajo ndërmjet Trepçës ’89 dhe Dritës. Te kampionia Drita shprehen optimistë se mund ta vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive. Kapiteni Ardian Limani ka vlerësuar lart ekipin mitrovicas, që në dhjetë xhirot e para ka shënuar katër fitore, dy barazime dhe katër disfata. Drita është në vendin e dytë me 19 pikë në tetë ndeshje të zhvilluara. Ndërkohë Trepça ’89 ka dy ndeshje më shumë të luajtura dhe zë vendin e katërt në tabelë me 14 pikë të grumbulluara.
“Trepça ’89 është treguar skuadër e mirë këtë edicion e sidomos ndaj skuadrave të forta me të cilat ka marrë rezultate të shkëlqyera. Do të kemi ndeshje të vështirë kundër një rivali të fortë, por edhe ne kemi skuadër të mirë dhe kualitetin e duhur për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Limani.
Të dyja skuadrat janë përballur shumë kundër njëra-tjetrës. Por, në pesë ndeshjet e fundit gjilanasit kanë bilanc më të mirë. Kanë arritur dy fitore, dy ndeshje kanë përfunduar baras, derisa një fitore i ka takuar 89-shit. Skuadra nga Mitrovica synon edhe një tjetër fitore në përballje kundër një skuadre pretenduese për titull.
Megjithatë, futbollisti Muharrem Jashari thotë se kundër Dritës do të jetë ndeshje e vështirë.
“Është një ndeshje e vështirë për ne, sepse Drita ka një skuadër të fortë. Në ndeshjen e parë në Gjilan na ka munguar finalizimi, por tani mendoj që e kemi një përparësi që luajmë në shtëpi dhe mendoj se pikët e plota do të mbesin në Riza Lushta”, ka thënë Jashari.
Edhe kjo ndeshje në Mitrovicë luhet prej orës 13:30, sikurse edhe ajo në Brestovik të Pejës ndërmjet Besës dhe Drenicës, ekip që në dy ndeshjet e fundit ka po aq fitore.
Superliga – Java 11
E mërkurë (13:30)
Trepça ’89 – Drita
(Arbitra: G. Nuza, E. Bicaj, V. Kelmendi, I. Mehmeti)
Prishtina – Arbëria
(Arbitra: Sh. Murtezi, A. Ejupi, I. Kabashi, V. Ibërdemaj)
Besa – Drenica
(Arbitra: T. Maloku, L. Muhadri, M. Berisha, B. Ajeti)
E enjte (13:30)
Gjilani – Llapi
(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, S. Berisha, E. Zasella)
Feronikeli – Ballkani
(Arbitra: A. Shala, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, B. Jahmurataj)
