Sport

Prishtina 01 në mesin e skuadrave elitare të futsallit evropian

Prishtina 01, e udhëhequr nga trajneri Haki Ahmeti, e kishte mbyllur të shtunën me fitore 8:2 rundin kryesor të Ligës së Kampionëve në futsall. Por lojtarët dhe drejtuesit e kampiones kosovare nuk kanë mundur t’i gëzohen shumë këtij triumfi të thellë. Kjo pasi kualifikimi në rundin elit të Championsit varej nga ndeshja tjetër, ajo mes Kauno Zhalgiris të Lituanisë dhe Kampusken Dynamo të Finlandës.

Prishtina 01 garoi në Grupin 7 të “Main Round” të Ligës së Kampionëve, ndeshjet e të cilit u zhvilluan në Lituani. Vetëm fituesi i grupit avanconte në “Elite Round”.

Ekipit nikoqir, Zhalgirisit, i duhej fitorja për t’u barazuar me skuadrën kosovare me pikë. Në rast të fitores, goldallimi do të vendoste se cila skuadër do të kualifikohej tutje.

Por Kauno Zhalgiris vetëm barazoi 1:1. Në tribuna ishin ekipi dhe zyrtarët e Prishtina 01. Festa e tyre nisi pak pa u mbyllur ndeshja e lituanëve, të shtunën mbrëma. Falë barazimit 1:1, të Zhalgirisit, Prishtina 01 fitoi grupin dhe avancoi në rundin elit.

Suksesi vlerësohet historik. Prishtina 01 u bë vetëm skuadra e dytë nga Kosova që kualifikohet në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës në futsall. Feniksi i Drenasit në edicionin 2016/17 e kishte shënuar një sukses të tillë. Feniksi kishte edhe lojtarë të huaj në skuadër. Prishtina 01 ka vetëm lojtarë vendorë në formacion.

“Për ne si klub, ashtu edhe si Kosovë, për futsallin vendor, është një arritje shumë e madhe pasi që shumë pak kanë besuar se kjo do të arrihet, e aq më pak vetëm me lojtarë vendorë”, ka thënë trajneri Ahmeti të dielën për KOHËN.

Ai e pranon se Grupi 7 ka qenë i vështirë, prandaj është vendosur në fund.

Prishtina 01 u kualifikua nga vendi i parë me 7 pikë. Dy pikë më pak i pati Kauno Zhalgiris, kurse Kampuksen Dynamo kishte katër pikë. AEL-i qipriot mbeti i fundit pa pikë.

“Ndeshja e dytë kundër ekipit vendës, Kauno Zhalgiris, ka qenë një dramë e vërtetë. Kemi shfaqur një ndeshje burrërore kundër një ekipi shumë cilësor. Me pak fat, po t’i realizonim rastet e shumta që kishim, do të kalonim tutje qysh në ndeshjen e dytë. Mirëpo, gjithçka mbeti për t’u vendosur në ndeshjen e tretë. Në ndeshjen e tretë ne e përfunduam detyrën tonë duke mposhtur AEL Limassol me rezultatin 8:2, që doli të ishte rezultat i mjaftueshëm për kualifikim”, thotë Ahmeti.

Ahmeti dhe ndihmësi i tij, Ferid Agushi, janë ndarë të kënaqur me paraqitjen e lojtarëve dhe kryerjen e detyrave që ua kishin dhënë. Tani presin kundërshtarët e radhës.

Suksesit i është gëzuar edhe Shefki Kameri, kapiteni i skuadrës kryeqytetase.

“Ky sukses nuk është vetëm për klubin tonë por për gjithë vendin. Shumë pak kanë besuar se do ta kalojmë këtë grup si rezultat i kualitetit të ekipeve që kishim përballë. Mirëpo, nga ata pak që kanë besuar ishim ne. Dhe besimi ka bërë që të punojmë maksimalisht për ta ëndërruar këtë arritje, e të realizohet. Patjetër se jemi tepër të lumtur dhe ëndrra bëhet edhe më e bukur për faktin se e kemi arritur me lojtarë vendorë”, ka theksuar Kameri.

Kameri dhe lojtarët e tjerë të skuadrës e dinë mirë se në “Elite Round” janë skuadrat e nivelit më të lartë të futsallit evropian.

Por ata të bashkuar do të vazhdojnë përfaqësimin sa më të mirë të mundshëm të Kosovës.

Kundërshtarët e grupit të raundit elit, Prishtina 01 do t’i mësojë të enjten e ardhshme.

Raundi elit përbëhet nga katër grupe me nga katër skuadra, ndërsa ndeshjet luhen nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor. Caktohet nikoqiri i secilit grup dhe vetëm vendi i parë kalon në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Për Prishtinën 01 është debutim në Ligën e Kampionëve. Suksesi tashmë është shumë i madh.

Feniksi në edicionin 2016/17 kishte humbur në “Elite Round” nga Nikarsi, Kairati dhe Real Rieti.

Liburni ka shkuar deri raundin kryesor po ashtu, njësoj si Liqeni. Feniksi e Liburni nuk garojnë më në Superligën e Kosovës në futsall.

Edhe Mabetex Prishtina ka qenë pjesëmarrëse në garat evropiane. Në parakualifikime e kishte kaluar Tiranën, ndërsa ishte mposhtur nga Barcelona në raundin e 32 skuadrave më të mira evropiane në edicionin 2020/21.

Prishtina 01 në Lituani mposhti kampionin e Finlandës dhe atë që Qipros. Ndërsa barazoi pa gola me Zhalgirisin lituan. Tani përballë do të ketë skuadra dukshëm më të mëdha. Synimet i ka për fitore të tjera.