Sport

Prishtina 01 në grup me Benfican e Kairatin në elitën e Championsit

Kampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës në futsall, Prishtina 01 ka mësuar grupin dhe kundërshtarët që do t’i ketë në kuadër të “Elite Round” të Ligës së Kampionëve. Në shortin e tërhequr të enjten në selinë e UEFA-s është përcaktuar që Prishtina 01 të jetë pjesë e Grupit B. Krahas Prishtinës 01, këtë grup e përbëjnë edhe Doboveci i Sllovenisë, Kairat Almaty i Kazakistanit dhe Benfica e Portugalisë.

Trajneri i skuadrës kryeqytetase, Haki Ahmeti, e ka vlerësuar të vështirë grupin, por ka shtuar se Prishtina 01 mund të bëjë befasi dhe të kualifikohet në mesin e katër skuadrave më të mirat e turneut.

“E kemi një grup mjaft të fortë, por kemi besim të plotë në skuadrën tonë. Kemi pasur dëshirë që në grup ta kemi edhe Barcelonën, por fati nuk e deshi. Kështu befasia e kësaj ngjarjeje është Prishtina 01”, ka thënë Ahmeti të enjten në një intervistë për KOHËN.

Vetëm fituesit e katër grupeve avancojnë në fazën finale, që do të organizohet në muajin maj të vitit të ardhshëm. Por suksesi historik nga Prishtina 01 veçse është arritur, pasi tashmë është në mesin e 16-të skuadrave më të mira evropiane. Këtë sukses në edicionin 2016/17 e kishte shënuar Feniksi i Drenasit, skuadër që tashmë ka shuar aktivitetin. Drejtori sportiv i skuadrës së Prishtina 01, Oso Gjinovci, ka theksuar se skuadra “bardhekaltër” do të dalë e para në Grupin B. Gjinovci me shaka ka thënë se te Barcelona janë lutur që të mos jenë në të njëjtin grup me Prishtinën 01. Prishtina 01, kampione e edicionit të fundit në futbollin e sallës në Kosovë, e ka fituar edhe dy herë Kupën e Kosovës.

“Besoj që rreth Benficas, Kairatit dhe Prishtinës 01, njëra nga këto do të jemi ne që do të kalojmë në fazën tjetër. Unë besoj që Prishtina 01 do të jetë aty lart”, tha Gjinovci.

Benfica është tetë herë kampione në Portugali, kurse Ligën e Kampionëve e ka fituar në edicionin 2009/10. Në total, në skenën evropiane ka shënuar 409 gola. Kairat Almaty është dy herë fitues i kësaj gare, ndërsa është skuadra e parë që ka kompletuar 20 sezone në garat e organizuara nga UEFA në futsall. Ndërkohë, skuadra sllovene, Dobovec, është gjashtë herë fitues i kampionatit në Slloveni, dhe thuajse rregullisht është pjesë e “Elite Round”. Ndeshjet e raundit elit do të zhvillohen prej datës 28 nëntor deri më 3 dhjetor. Ndeshjet e Grupit B janë vendosur të organizohen në Prishtinë. Prishtina 01 avancoi në “Elite Round” në debutimin e saj në Champions, pasi me sukses ka kaluar dy raundet paraprake të kësaj gare. Në raundin preliminar doli e para në Grupin D me shtatë pikë, me goldallim më të mirë se Lubawa e Polonisë. Utleira ishte e treta, ndërsa Isbjorninni i Islandës përfundoi pa pikë. Në raundin kryesor, Prishtina 01 shfaqi paraqitje edhe më të mirë. E fitoi grupin me shtatë pikë në tri ndeshje, dy më shumë se Kauno Zhalgirisi, që ishte nikoqir i grupit. Kampuksen Dynamo ishte i treti me katër pikë, ndërsa AEL-i qipriot ishte i fundit pa pikë.