Sport

Prishtina 01 kërkon kthimin e Kupës pas tre vjetësh

Ndonëse nuk kanë fituar trofe që nga edicioni 2019/2020, te Prishtina 01 janë të bindur se ky do të jetë viti i kësaj skuadre të futsallit kosovar. Me disa prej lojtarëve më me emër në futsallin e vendit në përbërje, Prishtina 01 synon që ta dominojë edicionin aktual. Shpresat janë të mëdha si te trajneri Haki Ahmeti, ashtu edhe te lojtarët e këtij ekipi.

Prishtina 01 kryeson në Superligën e Kosovës në futsall. Prishtina 01 është edhe në finale të Kupës, të cilën e kishte fituar para tre vjetësh me Agon Ramadanin në krye të skuadrës. Ramadani tani e udhëheqë Përfaqësuesen e Kosovës.

Trajneri Ahmeti ka besimin e plotë se Prishtina 01 e ka ekipin më cilësor në krahasim me Liqenin, të cilin e kishte mposhtur në Prishtinë bindshëm, 5:2. Prishtina 01 e Liqeni takohen në finale të kupës, të enjten mbrëma.

Ahmeti thotë se në skuadrën e tij ka harmoni të madhe dhe synim mbesin dy trofetë. Për finale thotë se nuk ka favorit. Kërkon nga tifozët që të jenë në numër sa më të madh në palestër.

“Momentalisht jemi në vendin e parë. Për plejof ende nuk e dimë kundërshtarin me kë do të luajmë, derisa të përfundojë sezoni i rregullt. Për finale të Kupës e kemi kundërshtar Liqenin, aktualisht kampionin e Kosovës. Unë jam i kënaqur me përgatitjen e lojtarëve të mi, angazhimin e tyre dhe disiplinën. Kemi harmoni të mirë në klub. Gjithashtu 01 e ka synim titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës”, theksoi Haki Ahmeti.

Për kapitenin e skuadrës 01, Shekfi Kameri, ky ka qenë edicion i gjatë e i mundimshëm. Por ai ka besimin se në fund kjo do të shpaguhet.

“Të gjithë e dimë se Liqeni ka kualitet të lartë. Mirëpo shpresojmë dhe besojmë se ky do të jetë viti ynë pasi jemi përgatitur maksimalisht dhe besojmë se kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve”, ka thënë Kameri.

Ramadan Alaj është një tjetër emër i madh i futsallit të Kosovës. Alaj ka fituar çdo gjë në futsallin e Kosovës, ndërsa beson se të tjerë trofe do të shtojë në sirtar.

“Nëse nisemi nga kampionati, ne jemi pak më lart se ata me cilësi. Por finalja është një lojë dhe varet nga disponimi dhe nga skuadra që gabon më pak. Shpresojmë që kësaj here t'ia dalim dhe ta fitojmë Kupën”, ka thënë Alaj.

01 deri në finale pati rrugë të vështirë. E eliminoi Prishtinën, ndërsa më pas Trepçën e Malishevën.