Paraqitjet e mira që i pati në “Main Round” të Ligës së Kampionëve në futsall, Prishtina 01 synon t’i vazhdojë në raundin elitar, në të cilin paraqiten 16 skuadrat më të mira evropiane. Kampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës në futsall (futboll të sallës), Prishtina 01 është nikoqire e Grupit B, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
Krahas Prishtinës 01 pjesë e këtij grupi janë edhe Doboveci i Sllovenisë, Kairat Almaty i Kazakistanit dhe Benfica e Portugalisë. Ndeshjet do të luhen prej të mërkurës deri të shtunën, ndërsa përballjen e parë Prishtina 01 e ka ndaj Kairatit të Kazakistanit.
Ndeshja Kairat – Prishtina 01 zhvillohet të mërkurën prej orës 20:00. Ndërsa prej orës 17:00 përballen Benfica e Doboveci.
Fituesi i grupit do të avancoj në turneun final të Championsit, përkatësisht në gjysmëfinale.
Te skuadra prishtinase e kanë parasysh se do të jetë dukshëm më vështirë se në raundet e kaluara. Por insistojnë se janë përgatitur maksimalisht për këto ndeshje, në të cilat presin edhe përkrahjen e madhe të publikut.
“Në rundin e kaluar kemi pasur paraqitje të jashtëzakonshme dhe sigurisht që duam të paraqitemi mirë edhe në këtë rund, ndonëse nuk do të jetë lehtë. E kemi parasysh që do të kemi punë me ekipe të nivelit të lartë evropian. Megjithatë, ne me padurim kemi pritur të vijmë deri këtu pasi kemi punuar për një vit dhe do të jemi maksimalisht të motivuar për të bërë paraqitje të mira edhe në këto ndeshje. Të luajmë në këtë nivel është shumë e rëndësishme për përvojën dhe karrierën tonë”, është shprehur portieri Bajram Ramadani. Ai është shquar me paraqitje në raundin kryesor.
“Presim edhe përkrahjen e shikuesve, kurse premtojmë se nuk do t’i zhgënjejmë me paraqitjen tonë. Kështu që jemi të motivuar dhe të përgatitur në çdo aspekt për ndeshjet e këtij raundi, të cilat i luajmë në shtëpi”.
Përkrahjen e madhe nga tribunat e pret edhe futbollisti Ermir Kryeziu. Ai thotë se Prishtina 01 ka bërë një rrugë të gjatë dhe të suksesshme për të arritur deri këtu. Skuadra kosovare ka kaluar dy raunde, atë preliminar dhe raundin kryesor kualifikues. Në raundin elitar, Kryeziu e di se do të jetë vështirë duke pasur parasysh nivelin e ekipeve.
Pas Kairat Almatyt, Prishtina 01 do të përballet me Dobovecin të enjten, përpara se të luaj kundër Benficës të shtunën.
“Pasi kaluam dy raundet e para, tani do të luajmë në shtëpi para tifozëve dhe familjarëve tanë dhe kjo do të jetë një motiv shtesë që të japim më të mirën nga vetja dhe të shkaktojmë ndonjë befasi, përkundër se e kemi parasysh që kemi të bëjmë me ekipe që janë ndër më të fortat në botë. Por, çfarëdo që do të ndodhë ne si ekip do të jemi me kokën lart për shkak se jemi krenarë që kemi arritur deri këtu vetëm me lojtarë vendorë”, tha Kryeziu.
Trajneri Haki Ahmeti ka insistuar se ekipi është gati për këtë raund të vështirë. Ai ka thënë se përgatitjet kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ahmeti pret që Prishtina 01 të shfaqë lojë të mirë përballë kundërshtarëve të fortë.
“Besoj se jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresoj të përfaqësojmë veten dhe vendin tonë sa më mirë në këtë fazë kaq të avancuar të Championsit. Në përgjithësi jemi të kënaqur me formën e ekipit dhe mund të them se lojtarët janë të fokusuar 100 për qind dhe do të japin maksimumin nga vetja në këto ndeshje. Ata janë duke e jetuar ëndrrën. Ftojmë të gjithë qytetarët e vendit tonë të na mbështesin, pasi ata do të jenë fuqia jonë shtesë përballë këtyre superfuqive të futsallit”, është shprehur Ahmeti.
Prishtina 01 është vetëm ekipi i dytë nga Kosova i kualifikuar në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës në futsall. Feniksi i Drenasit në edicionin 2016/17 e kishte shënuar një sukses të tillë.