Sport

Prishtina 01 gati për paraqitje dinjitoze në skenën evropiane

Prishtina 01 dominoi në futsallin e Kosovës në edicionin e fundit. E paraqitje të mira, klubi nga kryeqyteti synon të ketë edhe në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve. Prishtina 01, të hënën, udhëton për në Poloni, shtet që është nikoqir i Grupit D.

Në mesjavë nisin ndeshjet për kualifikim në “Main Round” apo raundin kryesor të Championsit në futsall. Në grupin e Prishtinës 01 janë edhe KSC Lubawa polake, Utleira Idrettslag e Norvegjisë dhe Isbjorninni i Islandës. Te skuadra kryeqytetase janë trimëruar pas paraqitjeve të mira që patën në edicionin e fundit në futsallin kosovar, ku fituan titullin dhe kupën. Suksese synojnë të kenë edhe në debutim në skenën evropiane.

Kështu ka thënë të dielën për KOHËN, trajneri i skuadrës, Haki Ahmeti.

“Pas suksesit historik të futsallit të Kosovës, ku fituam dy trofetë kryesorë, na pret edhe një sfidë shumë e vështirë. Gjasat për t’u kualifikuar në ‘Main Round’ ekzistojnë. Por nuk kemi pasur aq shumë fat në short, pasi nikoqiri KSC Lubawa është mjaft i fortë. Megjithatë, kemi shpresa dhe ekzistojnë gjasat për të kaluar tutje”, tha trajneri Ahmeti.

Prishtina 01 i nis këto parakualifikime më 23 gusht, ku do të përballet me ekipin islandez Isbjorninn. Një ditë më pas takohet me Utleiran, ndërsa ndeshjen e fundit e luan kundër KSC Lubawas. Në fazën preliminare të Championsit janë tetë grupe gjithsej. Vetëm fituesit e grupeve kalojnë tutje dhe vazhdojnë garat në raundin kryesor. Në skuadrën e Prishtina 01 ka lojtarë me përvojë të madhe. Disa prej tyre kanë luajtur edhe më parë në ndeshje të tilla. Por, për skuadrën “bardhekaltër” të kryeqytetit, paraqitja në arenën evropiane është diçka e re. Përvoja ka rol të rëndësishëm në Evropë dhe këtë e ka parasysh trajneri Ahmeti. Prishtina 01 në radhët e veta për këto ndeshje ka afruar Drilon Maxharrajn, reprezentuesin e Kosovës në futsall. Është afruar edhe Ferid Agushi, ish-lojtar i futsallit. Ai do të jetë pjesë e stafit të trajnerit Haki Ahmeti.

“Jemi në debutim për garën evropiane. Do të jenë paraqitjet tona të para në këto gara. Por unë kam besimin e plotë te lojtarët që i drejtoj. Kemi shumë cilësi brenda grupit. Edhe afrimi i Loni Maxharrajt do të na japë shtytje të madhe. Kemi edhe lojtarë të tjerë me përvojë. Besoj se me punën që kemi bërë deri më tani mundemi të kalojmë në ‘Main Round”, është shprehur Ahmeti.

Ahmeti ka folur edhe për kundërshtarët e ekipit të tij në këtë raund të kësaj gare. Skuadrën polake, Ahmeti e vlerëson favorite. Por, nuk i nënvlerëson as dy skuadrat e tjera. Ka më pak informacione për to, por ai shpreson në kalimin tutje të Prishtinës 01. Në rast se Prishtina 01 avancon nga raundi preliminar, atëherë do të inkuadrohej në Grupin 7 të “Main Round”, bashkë me Kauno Zalgirisin e Lituanisë, Kampuksen Dynamo të Finlandës dhe fituesin e Grupit G, ku janë Futsal Minerva e Zvicrës, Yerevan Futsal Club e Armenisë, AEL Limassol e Qipros dhe FC Fiorentino e San Marinos. Ndeshjet e fazës “Main Round” luhen nga 24 deri më 29 tetor.