Sport

Prezantohet programi “Kosova, shtet i xhudos”

“Kosova, shtet i xhudos”, është projekti i Qeverisë së Kosovës, i cili është prezantuar të premten në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ishin të pranishëm në ceremoni dhe e bënë prezantimin e këtij projekti. Të pranishëm ishin edhe shumë zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe xhudistët elitarë të Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se rezultatet e arritura në xhudo janë kryefjala e sportit kosovar.

Xhudoja e Kosovës në krye me trajnerin Driton Kuka ka fituar tri medalje olimpike, me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin.

Kryeministri Kurti ka theksuar se me këtë program do të mundësohet që të vazhdohet me suksese kulmore edhe në të ardhmen.

"Atë çfarë xhudo ia ka sjellë Kosovës ndër vite, shpresë, krenari dhe sukses, duam të sigurohemi se do të jemi prezentë gjithmonë tek ne dhe shumë gjatë edhe në arenën ndërkombëtare. Projekti i ka pesë shtylla të veprimit, të cilat adresojnë komponentët bazë pa të cilët sporti nuk mund të zhvillohet. Kësisoj, përveçqë po sigurojmë zhvillimin e mirëqenies fizike dhe sociale përmes ndërlidhjes institucionale të arsimit me sportin, të sportit me shëndetin, mbrojtjen dhe sigurinë, njëkohësisht edhe po sigurohemi që xhudoja të vazhdojë të mbetet kryefjala e suksesit të sportit vendor dhe arma jonë e fuqishme e promovimit ndërkombëtar. Kosova është shtet, ndërsa xhudoja është sport. Xhudo. Shtet. Kosovë. Tri fjalët të cilat na flenë në zemër gjithsecilit prej nesh e me të cilat identifikohemi dhe përfaqësohemi më së miri", tha ndër të tjera kryeministri Kurti.

I pari i MKRS-së, Hajrulla Çeku, tregoi se në mbledhjen e 99-të të Qeverisë së Kosovës u miratua ky projekt. “Kosova, shtet i xhudos” do të kushtojë 12 milionë euro dhe do të shtrihet në pesë vjetët e ardhshëm.

tregoi për gjashtë pikat që përfshihen në këtë projekt dhe për atë se çfarë do të arrihet me zbatimin e projektit. Ndër të tjera, do të ndërtohen salla të xhudos në shtatë qytetet e mëdha, ndërsa do të organizohen gara të mëdha të xhudos në Kosovë. Po ashtu do të kompletohet Qendra Nacionale e Xhudos. Por, kjo nuk është e tëra.

"Janë gjashtë qëllime kryesore. Një është infrastruktura e përmirësuar fizike. Dy është fuqizimi i kapaciteteve trajnuese. Tre është masivizimi i sportit të xhudos. Katër është mbështetja për trajnerët dhe sportistët elitarë. Pesë është organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë. Dhe gjashtë është promovimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës", është shprehur Çeku. "Masivizimi i xhudos në Kosovë do të trajtohet me prioritetin më të lartë të mundshëm brenda këtij programi. Programi do të integrojë xhudon në sistemin arsimor të Kosovës për të fuqizuar aktivitetin fizik dhe shëndetin e fëmijëve tanë. Do të punojmë bashkërisht që vendi ynë të jetë organizator i ngjarjeve si "Grand Prix", kampe ndërkombëtare, Kupa Evropiane, Kampionate Evropiane për grupmoshat e reja dhe ngjarje të tjera", shtoi Çeku.

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, theksoi se ky është programi më me vlerë i hartuar deri më tani në sportin e Kosovës.

"Tri medalje të arta Olimpike, dhjetëra medalje botërore e evropiane, e qindra ndërkombëtare. Sigurisht që kanë qenë arsyeja dhe motivimi për ministrin Çeku që të fillojë një program të tillë, që në thelb e ka promovimin e vendit tonë dhe avancimin e xhudos me shumë dimensione dhe krijimin e mundësive për të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë seriozisht", u shpreh Kuka.

Majlinda Kelmendi, medalistja e parë e artë olimpike e Kosovës, që tani ushtron zejen e trajneres, theksoi se është e lumtur për këtë program, i cili do të jetë i dobishëm edhe për trajnerët e xhudos.

"Të kemi masovitet, të kemi kushte më të mira për stërvitje, duke marrë parasysh që do të ndërtojnë nga një ‘dojo’ pothuajse në secilin qytet të Kosovës. Avancim të trajnerëve të rinj siç jam edhe unë vetë. E çka është më e rëndësishme, të kemi suksese, vazhdimësi të sukseseve. Jam jashtëzakonisht e lumtur që sporti i xhudos më në fund po e merr vendin dhe trajtimin e duhur, sepse ka tashmë 15 vjet që çdo qytetar i Kosovës mburret me sukseset e sportit të xhudos", deklaroi Kelmendi.

Kosova në xhudo ka kohë që shquhet me suksese kulmore. Sukseset e radhës synohen në Botërorin që mbahet javën tjetër.