Sport

Pretenduesit për titull në “gjumë”, asnjë lëvizje deri tani

Stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll ka përfunduar më 12 dhjetor. Prej atëherë e deri tash, asnjë skuadër e Superligës nuk ka transferuar lojtarë. Madje lëvizje nuk kanë bërë as pretenduesit për titull të kampionit.

Afati kalimtar do të hapet më 1 janar dhe do të mbyllet më 31 janar. Zakonisht është shumë i varfër, pasi shumica e futbollistëve kanë kontrata me klubet e tyre dhe lëvizjet janë më të rralla.

Gjilani është kampion vjeshtor. Renditet në vendin e parë me 35 pikë të mbledhura, një më shumë se Drita dhe dy më shumë se Ballkani që zë pozitën e tretë. I katërti është Llapi me 29 pikë.

Katër skuadrat pretenduese për titull nuk e kanë bërë asnjë lëvizje deri tash. As nuk kanë transferuar e as nuk kanë larguar lojtarë.

Gjilani dhe Drita vlerësohen dy skuadrat me shpenzimet më të larta këtë edicion në futbollin kosovar. Jozyrtarisht mësohet se secila skuadër ka buxhet vjetor prej rreth 1 milion eurosh.

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, thotë se në janar mund të sjellin në skuadër vetëm futbollistë cilësorë. Sipas tij, ekipit i duhet një anësor në fazën e sulmit.

“Po, do të lëvizim pak në afatin kalimtar të janarit, por jo shumë. Në sulm kemi nevojë për një anësor shumë të shpejtë. Do të shikojmë edhe ndonjë lojtar të mirë, për ta rritur konkurrencën në skuadër”, ka thënë Munishi.

Gjilani ka seri prej 13 ndeshjeve pa humbje.

Edhe te Drita nuk pritet të ketë shumë lëvizje. Drejtori sportiv, Valon Zymberi, ka thënë se një deri në dy përforcime mund të realizohen në janar.

tij, punën më të madhe të transferove e kanë kryer para fillimit të edicionit.

“E dimë që afati kalimtar i janarit nuk të jep shumë mundësi, sepse shumica e lojtarëve janë nën kontrata, prandaj jemi munduar që punën e transferimeve ta kryejmë gjatë verës, pra para fillimit të edicionit. Por, sigurisht, ne do ta analizojmë performancën e secilit lojtar dhe do të shohim që t’i bëjmë një apo dy lëvizje, aty ku shtabi teknik e sheh të nevojshëm”, u shpreh Zymberi.

Drita ka kaluar në vendin e dytë në renditje vetëm në xhiron e fundit të pjesës vjeshtore. Ka 34 pikë.

Zymberi nuk e përjashton mundësinë që ta lirojnë ndonjë futbollist gjatë janarit.

“Ne kemi numër të madh të lojtarëve dhe nëse do të ketë afrime sigurisht që duhet të lirojmë ndonjë lojtar”, ka deklaruar Zymberi.

KOHA ka provuar të marrë edhe një prononcim nga drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi, por ai edhe pse e ka konfirmuar se do të përgjigjet, nuk e ka bërë një gjë të tillë. Pyetjeve nuk u është përgjigjur as trajneri Bekim Isufi.

Ballkani zë vendin e tretë në renditje me 33 pikë. Pozitën e parë e humbi në xhiron e fundit, kur u mposht nga Gjilani në Suharekë, 1:0.

Një skuadër tjetër që pretendon titullin këtë edicion është Llapi nga Podujeva.

Trajneri i kësaj skuadre, Tahir Batatina, pretendon të transferojë dy lojtarë të huaj.

Ai theksoi se me pak përforcime synon të arrijë suksese të mëdha. Batatina insiston se po e drejton ekipin më të mirë që ka pasur Llapi. Llapjanët renditen në vendin e katërt, por kanë vetëm gjashtë pikë më pak sesa lideri Gjilani.

“Kemi nevojë për 2-3 lojtarë, jo më shumë. Do ta sjellim në skuadër një qendërsulmues dhe një mesfushor nga jashtë, pra lojtarë të huaj. Por mund të them se e kam skuadrën më të mirë që prej se jam në krye të Llapit. Kemi potencial të luftojmë për kreun e tabelës. Kemi super-organizim me kushte shumë të mira financiare. Këtij ekipi nuk i mungon asgjë. Në pranverë do të kthehemi në ‘Zahir Pajaziti’ dhe kjo më shtyn të besoj që mund t’ia dalim”, ka thënë Batatina.

Përveç pretenduesve për titull, edhe ekipet e tjera nuk kanë lëvizur sa u përket përforcimeve.

Para fundit të stinorit vjeshtor Prishtina njoftoi për ndarjen me Besart Berishën dhe Kristi Vangjelin. Largimin e ka konfirmuar edhe Sabien Lilaj, por ende një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar Prishtina. Ndërkohë, largimin e kanë kërkuar edhe Xhevdet Shabani e Florent Avdyli. Një gjë të tillë e ka pohuar ditë më parë drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli. Prishtina nga huazimi ka kthyer Albin Prapashticën që ishte te Vëllaznimi.

Stinori pranveror fillon në mesin e muajit shkurt.