Prishtinë, 3 janar – Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina, nuk kaloi formë të mirë në stinorin vjeshtor. Pas 18 ndeshjeve u rendit në vendin e pestë me 24 pikë. Ekipi nga kryeqyteti ka 11 pikë më pak se Gjilani që e mban vendin e parë. Pak javë para fundit të stinorit vjeshtor, Prishtina shkarkoi trajnerin Zekirija Ramadani dhe në vend të tij erdhi boshnjaku Abdullah Ibrakoviq.
U larguan edhe disa futbollistë që erdhën me bujë të madhe. Besart Berisha nuk ia doli të lërë gjurmë dhe vendosi për largim, sikurse Kristi Vangjeli, Sabien Lilaj e Florent Avdyli. Për Berishën është raportuar të ketë ardhur i lënduar. Të gjitha largimet janë të konfirmuara, kurse pritet të ketë edhe të tjera.
Sabien Lilaj javë më parë ka akuzuar Prishtinën se i ka mbetur katër paga borxh dhe disa obligime të tjera.
Fajin më të madh për rezultatet jo të mira në pjesën e parë të kampionatit presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, ua ka hedhur pikërisht përforcimeve që janë bërë në verë e që së fundmi janë larguar.
Ejupi thotë për KOHËN se përgjegjës për transferime kanë qenë drejtori sportiv Fisnik Kërçeli dhe trajneri Zekirija Ramadani.
“Të gjitha përforcimet janë bërë nga drejtori sportiv në koordinim me trajnerin. Kanë marrë çka kanë dashtë. Ne i kemi sjellë të gjithë ata që i kanë kërkuar. Njëra prej arsyeve të formës jo të mirë të Prishtinës janë edhe transferimet që janë bërë e që kanë dalë të dështuara. Sigurisht ka edhe faktorë të tjerë”, ka deklaruar Ejupi të hënën.
Ndarjen me disa futbollistë pas përfundimit të stinorit vjeshtor, Ejupi e quan “largim të lojtarëve që kanë dështuar te Prishtina”. Ai paralajmëron edhe largime të tjera.
“Janë larguar disa lojtarë, shumica prej tyre me marrëveshje. Sigurisht do të ketë edhe disa largime të tjera. Mendoj që largimet kanë ardhur edhe si rezultat i dështimit që ata kanë pasur. Kemi menduar që do të tregojnë rezultate dhe suksese, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk kanë qenë transferime të qëlluara. Kemi dështuar në këtë pikë. Prishtina ua ka dhënë mundësinë të gjithëve. Kemi gabuar edhe me Besart Berishën. Kemi gabuar dhe duhet ta pranojmë. Pagat e lojtarëve që janë larguar kanë qenë marramendëse. Në futboll gabohet”, tha Ejupi.
Presidenti i Prishtinës është i suspenduar nga Federata e Futbollit e Kosovës për një vit, për deklaratat e dhëna në media “për manipulime në futbollin kosovar”. Ejupit i skadon dënimi në mesin e këtij muaji.
Sipas tij, trajneri Ibrakoviq do të prezantojë planin që ka dhe pastaj do të bëjnë disa përforcime. Ai insiston se duhet t’u jepet hapësirë lojtarëve të rinj.
“Pasojat po i bartim tani, por unë besoj që Prishtina ka numër të madh të lojtarëve. Duhet t’u jepet hapësirë edhe lojtarëve të rinj. Trajneri do të sjellë një koncept dhe vizion që ka për pjesën pranverore. Pastaj sigurisht që do të ketë edhe përforcime. Do të shikojmë në Kosovë, por nuk përjashtohet mundësia edhe nga jashtë”.
Ejupi e pranon se klubi po përballet me probleme financiare. Megjithatë, mendon se Prishtina mund të rikthehet sikurse vitin e kaluar.
“Me sa e di janë një apo dy paga minus. Probleme financiare kanë të gjitha klubet. Edhe pandemia e ka bërë të veten. Nuk ka asnjë klub në Kosovë që është në plus në fund të edicionit. Të gjitha kanë probleme. Ne jemi rikthyer vitin e shkuar dhe e kemi fituar titullin e kampionit. E kemi fituar edhe falë gabimeve të ekipeve të tjera. Nuk përjashtohet mundësia që edhe në këtë edicion të rikthehemi, futbolli është i tillë”, është optimist Ejupi.
Në edicionin 2020/2021, kur Prishtina e fitoi titullin e kampionit pas tetë vjetësh, distanca në fund të stinorit vjeshtor ishte 14 pikë me vendin e parë. Por kryeqytetasit e shkrin epërsinë e Dritës dhe në fund rrëmbyen titullin.
Prishtina përgatitjet për stinorin pranveror do t’i nisë më 5 janar, kurse nga 22 janari e deri më 2 shkurt ekipi do të qëndrojë në Antalia të Turqisë.