Presidenti i klubit të futbollit Feronikeli, Naser Ramaj, nuk e di se çka ka ndodhur pas ndeshjes që skuadra të cilën e udhëheq e humbi në Drenas nga Arbëria e Dobrajës me rezultatin 1:0.
Ai thotë se nuk e ka parë se çka ka ndodhur, meqë nuk ndodhet në Kosovë. Por Ramaj nuk i jep aspak të drejtë shefit të sigurisë te klubi i Feronikelit, Adem Bucolli, i cili i ka ndërhyrë direkt trajnerit Klodian Duro, që ishte duke dhënë deklaratë pas humbjes nga Arbëria në kanalin “ArtSport 1”.
Ramaj ka thënë se Bucolli nuk vendos për qëndrimin apo jo të Duros te Feronikeli.
“Nuk kam lidhje se çka ka ndodhur, sepse pa përfunduar ndeshja e kam ndalur televizorin dhe nuk e di as çka ka ndodhur. Nuk e di, sepse nuk jam në Kosovë, por nuk është ai (Bucolli v.j.) që vendos. Derisa është në klub, Duro e ka besimin tim, por për momentin do të shohim. Më duhet të ulemi me gjithë kryesinë dhe të shohim. Nuk do ta marr vendimin vetë, por do ta diskutoj me kryesinë shumë shpejt. Eventualisht mund të marrë kohë 4-5 ditë deri te vendimi për të ardhmen e Duros”, ka thënë Ramaj për KOHËN.
Në fakt, Bucolli, që u prezantua si shef i sigurisë, fillimisht ia ndërpreu deklaratën Duros duke kërkuar largimin e tij nga skuadra, ndërsa më vonë shtoi: “Për shkak të rezultateve dhe situatës që e ka krijuar në klub, ai duhet të largohet menjëherë nga ekipi. Publikisht po e them, o do të jem unë në klub, o do të jetë Duro”.
Feronikeli u befasua në shtëpi nga Arbëria e Dobrajës që triumfoi 1:0 me golin e shënuar në fund të takimit. Duro shprehu zhgënjimin e tij për këtë humbje, por shtoi se Feronikeli nuk do të dorëzohet në luftën për mbijetesë. Ai premtoi se Nikli do të mbetet në Superligë.
“Realisht provuam gjithçka për të shënuar fitoren, i shfrytëzuam të gjitha mundësitë, por kur nuk shënon, atëherë pëson. Sigurisht duhet të kishim bërë më tepër, sepse kishim të gjitha mundësitë por kështu është futbolli. Edhe këtë herë nuk arritëm të fitojmë, por do të vazhdojmë punën”, tha Duro.
Feronikeli zë vendin e gjashtë me 35 pikë, ndërsa Arbëria është në vendin e nëntë me 33 pikë.