Sport

Presidenti i Deçiqit: Nuk është hera e parë që përballemi me fyerje

Pal Dreshaj

Presidenti i klubit të futbollit Deçiqi nga Tuzi, Pal Dreshaj, ka folur të mërkurën për KOHËN lidhur me ofendimet në baza nacionale që iu bënë pjesëtarëve dhe tifozëve të klubit shqiptar nga huliganët e Buduqnostit të Podgoricës, të njohur si “Varvari” (Barbarët).

Këto ofendime ndodhën të martën mbrëma, në derbin që përfundoi 1:1. Kështu Deçiqi ka mbajtur epërsinë prej tri pikësh ndaj Buduqnostit dhe po marshon drejt titullit të kampionit në Mal të Zi.

Dreshaj ka thënë se fyerje të tilla nuk kanë ndodhur për herë të parë.

“Ju nga Kosova e dini më së miri dhe e kuptoni pozitën tonë si shqiptarë në një shtet ku je pakicë. Nuk është hera e parë që ballafaqohemi me probleme të tilla. Fatkeqësisht duhet të kalojë edhe shumë kohë që mos të përsëriten këto gjëra. Organet kompetente do të merren me këtë rast. Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, në bazë të kompetencave, do të marrë vendim, pasi është hapur procedurë disiplinore. Gjithashtu edhe Drejtoria e Policisë ka iniciuar procedurë dhe është duke punuar në identifikimin e personave të përfshirë në ngjarje. E ka dërguar rastin në prokurori, që do të përfshihet në këtë rast”, ka thënë Dreshaj për KOHËN.

Ai ka thënë se vetëm pas vendimeve të organeve përkatëse, Deçiqi do të dalë me qëndrim zyrtar si klub.

“Tifo-grupi i Buduqnostit ka krijuar incidente duke hedhur mjete plasëse gjatë gjithë kohës, të përcjella me kore raciste dhe fyerje në baza nacionale. Po presim reagimet dhe vendimet e organeve gjegjëse dhe pastaj do të dalim me qëndrimet tona”, ka shtuar presidenti i Deçiqit, Pal Dreshaj.