Sport

Premtohen stadiume të shumta, duke përfshirë atë nacional

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) aktualisht nuk ka në dispozicion asnjë stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Por pas pesë vjetësh pret të ketë në shfrytëzim një stadium nacional, gjashtë stadiume të kategorisë së katërt dhe dy stadiume të kategorisë së tretë.

Për realizimin e këtij plani 5-vjeçar, në selinë e FFK-së është mbajtur një takim i Grupit Koordinues, i krijuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Në takim ishin edhe ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, pret që projektet e planifikuara të realizohen.

“Presim që të përfundojnë të gjitha projektet që janë paraparë, sepse klubet e Kosovës kanë nevojë për infrastrukturë të mirë. Edhe stadiumi nacional po ashtu duhet të jetësohet sa më parë. Presim të bëhet ndërrimi i barit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, por gjithsesi edhe stadiumet e tjera, ai ‘Adem Jashari’, pastaj stadiumi i Gjilanit, Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Drenasit, Ferizajt. Po ashtu presim të bëhet sa më shpejt edhe stadiumi i kryeqytetit në Bërnicë, në lokacionin ku e ka paraparë Komuna e Prishtinës”, ka thënë Ademi të mërkurën për KOHËN.

I pari i FFK-së thotë se projekti për rregullimin e infrastrukturës në futboll ka nisur në Zvicër, në takimin që vitin e kaluar, bashkë me ministrin Çeku, e kishin zhvilluar me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe atë të UEFA-s, Aleksander Çeferin. “Gjithçka që është planifikuar i përket MKRS-së, e cila e ka buxhetin, ndërsa ne jemi të gatshëm ku është nevoja të japim ndihmën tonë. Është komision profesional nga i cili kemi besim se do të jetësohen të gjitha planet. Presim që stadiumet në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Ferizaj t’i kemi të kategorisë së katërt, i Drenasit të jetë i kategorisë së tretë, i Llapit i kategorisë së dytë apo tretë. Në Ferizaj do të ndërtohet stadium i ri dhe besoj se do të jetë me 10 deri 12 mijë ulëse dhe do të jetë i kategorisë së katërt. Urojmë që disa prej tyre të përfundojnë në periudhën prej 2 vjet e gjysmë apo tre vjet. Do të jetë shumë më e lehtë dhe më e mirë gjendja si për klubet ashtu edhe për përfaqësueset”, është shprehur Ademi.

MKRS-ja ditë më parë njoftoi për vazhdimin e punimeve në rregullimin e stadiumit “Adem Jashari” dhe stadiumin në Gjilan. Dy projektet janë zvarritur me vite, ndërsa për përfundim duhet pritur edhe disa vjet.

Për stadiumin nacional, Ademi pret të ndërtohet në Korreticë të Drenasit. Ndërtimi i stadiumit nacional ka qenë premtim i dhënë nga thuajse të gjitha partitë qeverisëse të vendit.

“Tani për tani lokacioni ekzistues është për stadiumin nacional, pra aty ku është bërë për herë të fundit studimi i fizibilitetit. Në Korreticë është bërë studimi i fizibilitetit dhe nuk është dhënë ndonjë deklarim për ndërrim të lokacionit. Do të ishte mirë sa më shpejt të operohet. Por varet nga MKRS-ja. Nga Ministria përcaktojnë gjithçka dhe unë mendoj se shpejt Ministria do ta japë lajmin. Si në çdo vend të botës primatin për infrastrukturë e ka shteti”, ka thënë Ademi.

Por ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, nuk ka përjashtuar mundësinë që stadiumi nacional të ndërtohet në ndonjë qytet tjetër.

“Në proces të rinovimit është stadiumi ‘Adem Jashari’, që është i kategorisë së katërt. I kategorisë së katërt është edhe ‘Fadil Vokrri’, kurse edhe i Gjilanit që do të jetë i kategorisë katër, është në procedurë të prokurimit. Një stadium i kategorisë së katërt i shtohet Kosovës me ndërtimin e stadiumit nacional, që është obligim për Lojërat Mesdhetare. Besoj që do të jenë gati brenda periudhës 5-vjeçare, disa edhe më herët. Do të ketë diskutime se kur të nisë rinovimi i stadiumit të Pejës, Gjakovës, se a do të mbesin të kategorisë së tretë apo do të shtohet edhe një kategori. Ne jemi në procedurë të hartimit të projektit për stadiumin e ri të Ferizajt. E kemi kontratën aktive me studion e arkitekturës, e cila është kontraktuar për hartimin e projektit zbatues të stadiumit të ri të Ferizajt. Ferizaj do ta ketë stadiumin e vet”, ka thënë ministri Çeku për KOHËN.

Ai thekson se shumë shpejt do të dihet edhe lokacioni për ndërtimin e stadiumit nacional.

“Me katër stadiume të kategorisë së katërt mendoj se ia plotësojnë Kosovës më shumë se nevojat për ndeshjet e nivelit ndërkombëtare. Një dokument që është duke u hartuar është masterplani i lojërave mesdhetare. Atë ne duhet ta përfundojmë në muajt në vijim dhe ai masterplan do të japë përgjigje për shumë dilema, përfshirë edhe për lokacionin e stadiumit nacional. Edhe një herë do të analizohet Bërnica dhe zona e Drenasit dhe do të shohim eventualisht edhe mundësi të tjera të përshtatshme dhe ai masterplan na rekomandon lokacionin dhe ne të nisim punën për ndërtim. Nëse një fizibilitet na tregon që është më i qasshëm edhe ne duhet ta ndjekim atë. Por nuk përjashtojmë që në fund njëra prej këtyre të dyjave të jetë lokacioni”, ka theksuar Çeku.