Sport

Premier League feston 30-vjetorin e dominimit global

Premier League festoi 30-vjetorin e saj duke shënuar tri dekada që kanë parë që futbolli anglez i klubeve të shndërrohet në produktin kryesor argëtues sportiv në botë, ka raportuar Reuters të martën. Në vitin 1992 klubet kryesore thyen traditën 104-vjeçare duke u ndarë nga Liga e Futbollit dhe duke krijuar në mënyrë kontroverse një “superligë”, e cila do të mbante të ardhurat e veta në vend që t'i ndante ato me klubet në të katër divizionet e lojës profesionale. Lëvizja u bë realitet vetëm sepse u mbështet nga Shoqata qeverisëse e Futbollit -- një vendim që u pa si një tradhti nga shumë prej skuadrave më të vogla -- dhe nga kompanitë e televizionit vendas të parë me dyshim nga tifozët skeptikë. Televizioni “Sky” i Rupert Murdoch më pas siguroi të drejtat dhe filloi të promovonte shumë ligën, e cila që nga fillimi i saj është nxitur nga të ardhurat e transmetimit. Qasja e stilit amerikan, e dukshme në imitimin të NFL-së, e shtyu popullaritetin e sportit kombëtar në nivele të reja.

“Unë nuk mendoj se ne të gjithë e kuptuam se çfarë do të bëhej Premier League 30 vjet më parë”, tha Teddy Sheringham, i cili shënoi golin e parë televiziv në ligë për Nottingham Forestin kundër Liverpoolit.

“Ishte një gjë e re dhe momente emocionuese”.

Megjithatë, me kalimin e kohës të ardhurat nga televizioni i lejuan klubet të tërhiqnin lojtarët kryesorë nga e gjithë bota, gjë që nga ana e saj nxiti interesin jashtë vendit. Kishte vetëm 13 lojtarë nga jashtë Ishujve Britanikë në fundjavën e hapjes së sezonit të parë të Premier League në vitin 1992, por në 30 vitet që pasuan lojtarë nga 120 vende janë paraqitur në ligë me 63 kombësi të përfaqësuara sezonin e kaluar. Tani që transmetohet në 800 milionë shtëpi në 188 vende me 90 transmetues dhe më shumë se 400 kanale që tregojnë ndeshje, Premier League dhe klubet e saj numërojnë pothuajse një miliard ndjekës në mediat sociale. Këtë vit, për herë të parë, liga do të gjenerojë më shumë të ardhura nga marrëveshjet televizive të huaja sesa tregu i krijuar vendas. Kur të përfundojnë të gjitha marrëveshjet, liga pret që shitjet e të drejtave të huaja të gjenerojnë 5.3 miliardë funte gjatë tre sezoneve të ardhshme me 5.1 miliardë të mbledhura nga transmetuesit në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa 50 klube janë paraqitur në ligë, çuditërisht duke pasur parasysh origjinën e saj, liga është dominuar gjithnjë e më shumë nga klubet e qyteteve të mëdha. Kanë qenë vetëm shtatë klube që kanë fituar ligën, me Blackburnin dhe Leicester Cityn që vijnë nga jashtë qyteteve të mëdha. Vitet e hershme u dominuan nga Manchester United, i cili fitoi shtatë nga nëntë titujt e parë nën drejtimin e Alex Fergusonit në një epokë në të cilën ata shijuan beteja epike me skuadrën e Arsenalit të Arsene Wengerit - fitues në vitet 1998, 2002 dhe 2004. Një tjetër klub londinez, Chelsea, i mbështetur nga rusi Roman Abramovich, fitoi tituj radhazi nën drejtimin e Jose Mourinhos në 2005 dhe 2006 përpara se Unitedi të kthehej në dominim me lojtarë si Wayne Rooney dhe Cristiano Ronaldo. Manchester City, nën drejtimin e Pep Guardiolas, ka dominuar vitet e fundit duke fituar katër nga pesë titujt e fundit, të ndërprerë vetëm nga Liverpooli në vitin 2020 - titulli i tyre i parë që nga shkëputja.

“Liga është plot me personazhe bindëse, qofshin lojtarët apo trajnerët gjithnjë e më shumë. Ajo vazhdimisht prodhon histori tërheqëse që kapin imagjinatën e tifozëve në mbarë botën”, thotë eksperti i marketingut sportiv Chris Cook. “Premier League krijoi ‘produktin’, ose të paktën e profesionalizoi atë dhe e tregtoi siç duhet për një audiencë globale, por vetë ekipet dhe lojtarët individualë janë në të vërtetë markë më e madhe se Premier League si një entitet”.

Megjithatë, a do të mbetet elita e Anglisë më e shikuara në botë për 30 vjetët e ardhshëm? Wenger beson se kërcënimet e vetme për dominimin e Premier Leagues do të vinin nga të tjerët duke ndjekur shembullin e 30 vjetëve më parë dhe duke u shkëputur nga strukturat e vendosura - si përpjekja e vitit të kaluar në një Superligë Evropiane.

“Kush është kërcënimi? Është Superliga. Unë u befasova që gjashtë ekipe angleze u regjistruan”, tha ai për “Sky Sports”. “Ndoshta ata mund të transferojnë një ligë në SHBA. Këtu mund të vijë edhe kërcënimi. Nëse një ditë Amerika është e suksesshme në futboll, atëherë mund të jetë problem për ligën”.