Sport

Potter me Chelsean kthehet në Brighton

Manchester City viziton Leicester Cityn e përmirësuar.

Kampioni në fuqi, City, e hap xhiron e 14-të të Premier Leagues angleze, të shtunën nga ora 13:30.

Arsenali, që është lider në ligë, luan kundër Nottingham Forestit, ndërsa trajneri i ri i Aston Villas synon të vazhdojë sukseset me skuadrën në udhëtim te Newcastle.

Fitoret e njëpasnjëshme e kanë kursyer nga kritikat trajnerin e Leicesterit, Brendan Rodgers, por ekipi i tij tani ka përballë një skuadër të fuqishme.

Erling Haaland u zëvendësua në mesjavë pas pjesës së parë dhe mungesa e tij eventuale mund ta ndihmojë Leicesterin ta vazhdojë përmirësimin e bilancit në fazën defensive.

Ndërkohë, trajneri i Chelseat, Graham Potter, kthehet te Brightoni vetëm shtatë javë pasi e la skuadrën për t’u transferuar në “Stamford Bridge”.

Chelsea është përmirësuar që nga ardhja e tij, ndërsa zëvendësuesi i Potterit, Roberto De Zebri, ende nuk ka fituar asnjë ndeshje. Ka marrë vetëm dy pikë nga 15 të mundshme.

Tottenhami, i treti në tabelë, nuk ka pasur përmirësime së fundmi dhe Antonio Conte ende duhet të punojë për ta siguruar fazën tjetër në Ligën e Kampionëve.

Spursi udhëton te Bournemouthi të shtunën nga ora 16:00. Dy humbjet rresht së fundmi kanë ndalë serinë e skuadrës prej gjashtë ndeshjeve pa disfatë.

Liverpooli, pasi pësoi disfatë nga Nottingham Foresti xhiron e kaluar, u këndell duke fituar 3:0 ndaj Ajaxit në mesjavë.

Tani lojtarët e Juergen Kloppit do të luajnë në shtëpi kundër Leeds Unitedit, që është në pjesën e poshtme të tabelës duke marrë vetëm dy pikë në tetë ndeshje.

Manchester Unitedi e mirëpriti Cristiano Ronaldon i cili shënoi në fitoren e të enjtes mbrëma në Ligën e Evropës, por mbetet të shihet roli i tij në fundjavë kundër West Hamit. Unitedi e mbyll xhiron e 14-të të dielën me ndeshjen që nis në orën 17:15.