Por 25-vjeçarja vazhdon të merret me sport – tani me çiklizëm. Madje Kosovën e ka prezantuar në një garë serioze të çiklizmit në Slloveni. Kishte shprehur interesim që të paraqitej edhe në kampionatin e Kosovës. I kishte shkruar Federatës së Çiklizmit të Kosovës.

“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë çiklizmi. Por si garuese profesioniste në kërcime me ski nuk kisha kohë për këtë. Këtë vit ishte pak më ndryshe. Isha shumë në biçikletën time rrugore dhe rastësisht e hapa faqen e Federatës së Çiklizmit të Kosovës. E pashë shpalljen për kampionatin nacional të Kosovës në çiklizëm rrugor dhe menjëherë kontaktova me Avni Nuhën, të cilin e pyeta nëse mund të marr pjesë. Përveç një ‘Hiii, Madam Sophie’ nuk mora përgjigje, dhe kështu për arsye të pashpjegueshme nuk munda të merrja pjesë”, ka thënë Sorschag në një intervistë të gjatë për KOHËN.
Nuha është kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës.
“Isha e zhgënjyer, sepse nëse nuk mund të jem në kodër për kërcim me ski, atëherë çiklizmi rrugor ishte një shans për mua që të plotësoja normën e punës së nevojshme personale”, ka shtuar Sorschag, prej së cilës në Kosovë pritej edhe medalja në Lojërat Olimpike Dimërore. Por që nga janari për Sorschagun nuk kanë njoftuar as Komiteti Olimpik i Kosovës e as Federata Skitare e Kosovës. Ajo pretendon se FSK-ja nuk e ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar dhe nuk i ka mbuluar shpenzimet që është dashur t’i mbulojë.
Në fund të verës ajo mori pjesë në një garë serioze të çiklizmit në Slloveni. Dhe e prezantoi Kosovën. Rezultatet e saj, duke përfshirë një vend të gjashtë, janë të evidentuara në faqen e “L’Etape Slovenia 2024”.
“Vendosa të marr pjesë për Kosovën, jo për Austrinë, në garën e famshme të çiklizmit ‘L’Etape Slovenia’. Pa ekip përfundova në vendin e gjashtë, në mesin e sportistëve të ekipeve profesionale të çiklizmit rrugor që morën pjesë. E prezantova Kosovën edhe në çiklizëm rrugor me nder të madh. Natyrisht, kjo më dha shumë besim për të qenë e suksesshme edhe në sportet e tjera. Tani po bëj jetë normale studentore dhe nuk kam asnjë ekip profesional për të hyrë në elitën profesionale të çiklizmit rrugor. Por do të shohim se çka do të sjellë e ardhmja”, ka shtuar Sorschag.
Rezultati i saj në çiklizëm nuk është evidentuar diku në Kosovë, ndonëse kjo austriake e ka pasaportën e Kosovës. Dhe si pak sportiste, tani e ka përfaqësuar shtetin e Kosovës në dy sporte të ndryshme.
