Sport

Portierin që e pret Kosova po kërkohet nga gjigantët anglezë

Ishte kritikuar kur në verën e vitit të kaluar Ajaxi vendosi tetë milionë euro në tavolinë për Diant Ramajn. Në atë kohë numri dy i Eintracht Franfurtit kishte vetëm dy paraqitje në Bundesligë dhe nuk pritej që Ajaxi të gërmonte kaq thellë në xhepat e tij. Tani të gjithë i japin të drejtë. Ramaj është bërë numri një në Amsterdam dhe po bën përshtypje me paraqitje të mëdha.

“Bild” të enjten ka njoftuar se në garë për portierin 22-vjeçar janë futur edhe Manchester United dhe Chelsea. Ditë më parë pati raportime se për portierin që po e pret Kosova, interesim ka shprehur edhe Arsenali. Pra, janë tre gjigantë anglezë të interesuar për portierin 189 centimetra të gjatë.

“Manchester United, Arsenal dhe Chelsea i janë futur garës për Ramajn – kush do ta mendonte këtë gjashtë muaj më parë. Në të tri klubet sigurisht se do të ishte numri dy, por një ndryshim i tillë sigurisht që do të ishte hapi tjetër në karrierë”, shkruan “Bild”.

Të impresionuar me paraqitjet e Ramajt kanë mbetur edhe në Kosovë.

Në fakt, Kosova me Ramajn ka ruajtur kontaktet prej vitesh. Kosova është në pritje të një përgjigjeje nga portieri Ramaj.

Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se do të ishte e jashtëzakonshme nëse Ramaj do të vendos t’u bashkohej “Dardanëve”.

“Jemi duke shikuar, por edhe selektori i ri është angazhuar në afrimin e sa më shumë lojtarëve. Kontaktet me Diantin i kemi pasur shumë herët. Kemi pasur edhe takime. Bisedat kanë qenë shumë pozitive Na ka thënë që t’i japim kohë për të vendosur dhe ne e kemi respektuar hapësirën e kërkuar. Jemi në pritje dhe vendimi i takon atij. Do të ishte e jashtëzakonshme po ta kishim. Është portier me perspektivë dhe ai e di se Kosova gjithmonë e ka derën e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e jona”, ka thënë Sahiti për KOHËN.

Edhe zëvendësdrejtori i Përfaqësueses, Samir Ujkani, thotë se kontaktet me Ramajn janë që nga koha kur ishte pjesë aktive e “Dardanëve”. Ujkani ka qenë portier. Ai është pensionuar, ndërsa Kosova pret të gjejë zëvendësues të tij.

“Dera e Kosovës është e hapur gjithmonë dhe do të ishte vlerë e shtuar e jona”, ka thënë Ujkani për KOHËN.

Portier i parë i Kosovës është Arijanet Muriq, ndërsa i dyti Visar Bekaj. Muriq, 25-vjeçar, është portier i dytë në ekipin e Premier Leagues, Burnelyt. Portier i dytë i Hataysporit është edhe Bekaj. Hatayspori luan në Superligë të Turqisë.