Sport

Portieri Shaipi e sheh si mundësi paraqitjen me Kosovën

Amir Shaipi është një nga portierët më të vlerësuar në Zvicër. Shaipi zë vend në mesin e portierëve që në të ardhmen mund ta zërë vendin e portierit të parë të helvetikëve, Yan Sommer. Portieri premtues ka qenë katër herë në portë për ekipin U20 të Zvicrës dhe 14 herë me skuadrën U21, por që ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje për ekipin A. Por Shaipi 23-vjeçar e sheh si mundësi edhe Kosovën.

“Është opsion dhe jam i hapur, por ende nuk kam biseduar me askënd”, ka thënë Shaipi për KOHËN të enjten.

Shaipi i është përgjigjur me “Po” pyetjes nëse mund ta japë kontributin e tij për Kosovën. “Po, pse jo. Kosova ka lojtarë të mirë”, ka thënë Shaipi.

Shaipi është 23-vjeçar, i gjatë 194 centimetra dhe aktualisht është pjesë e skuadrës së Luganos, që bën gara në elitën e futbollit zviceran. Shaipi tash e një kohë të gjatë është nën “llupën” e zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Shaipi, i lindur në Schaffhausen dhe për klubin që mban emrin e qytetit është zhvilluar si lojtar. Babai i tij është nga Prizreni. Një periudhë e ka kaluar edhe te Winterthuri dhe Grasshopperi. Nga Schaffhauseni në vitin 2021 iu bashkua skuadrës së Luganos. Lugano është në vendin e pestë në tabelë me 26 pikë, ndërsa Shaipi është portieri i parë. Në edicionin aktual, ai ka qenë në portë te Lugano në 24 ndeshje.

“Me klubin po më ecën shumë mirë”, ka theksuar Shaipi.

Kosova nuk është se ka shumë opsione për portën. Portier të parë e ka Arijanet Muriqin që është pjesë e Burnleyt, ndërsa vitin e kaluar u pensionua Samir Ujkani. Portier i dytë te Kosova pas pensionimit të Ujkanit është Visar Bekaj. Bekaj 26-vjeçar është portier i dytë te Hatayspori. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka thënë pak kohë më parë për KOHËN se Kosovës shpejt do t’i bashkohet një portier.

“Sigurisht se do të ketë ardhje të reja, e kemi pensionuar një portier, do të vijë një portier. Do të ketë edhe shumë të tjerë. Kosova ka shumë futbollistë të mirë dhe i çmoj dhe i respektoj deri në pikën e fundit, por normalisht që duhet punë dhe unë jam ithtar i punës dhe punës 100 për qind. Ai që mund ta përcjellë punën tonë ekziston dhe ecën, por ai i cili nuk mundet ta përcjellë normalisht që bie nga kombinimi”, pati thënë Ademi.

Superliga e Zvicrës vazhdon të ofrojë shumë lojtarë për Kosovën. E kaluara dëshmon që ndërrimi i përfaqësueses asnjëherë nuk bën të përjashtohet si skenar i mundshëm. Mund të ndodhë edhe me Shaipin.