Ish-portieri i Manchester Cityt, tani i Burnleyt të Premier Leagues angleze, Arijanet Muriq, mund të transferohet te Galatasaray në Superligën e Turqisë. Portieri i Kosovës iu bashkua Burnleyt para një viti e gjysmë nga Manchester City, ndërsa tani i është ofruar skuadrës së Galatasarayt. Ai nuk ka pasur hapësirë për të luajtur në Premier League, ndërsa luajti në Kupën e Ligës në tri ndeshje.
25-vjeçari, që me Burnleyn ka kontratë deri në vitin 2026, karrierë në elitën e futbollit të Turqisë më parë ka bërë tek Adana Demirspori, në edicionin 2021/2022. Ai pranoi 38 gola në 32 ndeshje, ndërsa në 10-të raste e kishte mbajtur portën e paprekur. Interesimin e Galatasarayt për portierin shtatlartë e ka konfirmuar të enjten mediumi turk, “gsgazete”.
Muriq është zhvilluar në futbollin zviceran te të rinjtë e Juventusit, Zuerichut e Grasshopperit, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Nottingham Foresti, Girona, NAC Breda e Willem II.