Ndeshjet me Zvicrën dhe Rumaninë vlerësohen me rëndësi për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Synohet kthimi në rrugën e sukseseve pas humbjes dëshpëruese nga Bjellorusia më 19 qershor, që solli ndryshime në krye të shtabit teknik.
Përzgjedhësi i ri, Primozh Gliha, do të përballet me disa vendime të vështira sa i takon formacionit bazë. Për pozita të caktuara konkurrenca vlerësohet e madhe. Për disa të tjera ajo thuajse nuk ekziston.
Pozitë e ndjeshme për Kosovën vazhdon të mbetet ajo e portierit. Arijanet Muriq vlerësohet aktualisht i pazëvendësueshëm, por 24-vjeçari nuk po kalon momentin më të mirë në karrierë.
Ai është vetëm rezervist te Burnley i kthyer në Premier League. Në tri ndeshjet e para të kampionatit anglez ka qëndruar në stol. Burnley humbi 3:0 nga Manchester City, 3:1 nga Aston Villa dhe të shtunën 5:2 nga Tottenhami. Anglezi i ri, James Trafford, është aktualisht zgjedhja e parë e Burnleyt. Muriq e pret rastin, që nuk dihet se kur do t’i vijë. Më 30 gusht ai u paraqit në ndeshjen e Kupës EFL, të cilën Burnley e fitoi 1:0 ndaj Nottinghamit. Paraqitjet me Kosovën mund t’i ndihmojnë që të përmirësojë pozitën në skuadrën angleze.
Ndërkohë pozita e Samir Ujkanit nuk ka ndryshuar. Ka shumë vjet që ai është vetëm rezervist te skuadrat italiane, ndërsa është ftuar rregullisht te Kosova. Edhe te Kosova për kohë të gjatë është zëvendësues. Ujkani së fundi ishte tek Empoli, rezervist, ndërsa tani është pa skuadër. Por është ftuar nga Gliha.
Portieri tjetër, Visar Bekaj, ka bërë lëvizje të rëndësishme duke kaluar te skuadra e Superligës së Turqisë, Hatayspor. Edicionin e kaluar ishte te Tirana. Te Hatayspor, Bekaj nuk është aktivizuar ende. Me situatën aktuale, duket e pamundur që Ujkani e Bekaj ta rrezikojnë pozitën e Muriqit. Por edhe pozita e gardianit të parë është larg prej më të mirës, kështu që porta e Kosovës vazhdon të jetë goxha e “cenueshme”.
Kosova është grumbulluar të hënën, ndërsa ndeshja me Zvicrën është të shtunën në “Fadil Vokrri”.