Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino, thotë se i pëlqen që pronarët e klubit të vijnë në zhveshtoren e ekipit pas ndeshjeve në stadiumin “Stamford Bridge”.
Pochettino zbuloi se bashkëpronarët Todd Boehly dhe Behdad Eghbali, si dhe drejtorët sportivë, Laurence Stewart dhe Paul Winstanley, kanë bërë vizita të rregullta pas ndeshjeve, në zhveshtore këtë edicion. Trajneri argjentinas konfirmoi se pronarët vizituan lojtarët edhe pas humbjes 1:0 të së dielës në shtëpi nga Aston Villa, e cila la Chelsean me vetëm një fitore nga gjashtë ndeshjet e para në Premier League. Aktualisht Chelsea renditet në vendin e 14-të në tabelë, pavarësisht se pronarët kanë shpenzuar mbi 1 miliard euro qëkur morën klubin në muajin maj të vitit të shkuar.
“Më pëlqen kur hyjnë pronarët në zhveshtore. Pas gjithë karrierës sime si trajner që e kam pasur tek Espanyoli, Southamptoni, Tottenhami dhe Paris Saint-Germaini, mendoj se është mirë që pronari vjen në dhomën e zhveshjes. Mënyra në të cilën ata afrohen me lojtarët është e rëndësishme. Nëse ata e bëjnë këtë në një mënyrë të mirë dhe korrekte, atëherë ata janë shumë të mirëpritur”, tha Pochettino të martën. “Pas konferencës sime për shtyp të dielën kundër Aston Villas, ata erdhën dhe na vizituan si zakonisht. Ata gjithashtu na vizituan edhe pas ndeshjeve me Liverpoolin, Lutonin dhe Nottinghamin”.
Pochettino shprehu kënaqësinë e tij për sjelljen e pronarëve në dhomën e zhveshjes.
Njëri prej pronarëve të Chelseat, Boehly, u kritikua ashpër edicionin e kaluar për hyrjen në zhveshtore dhe raportohet se e quajti ekipin “të turpshëm” në një fjalim drejtuar lojtarëve pas humbjes në shtëpi nga Brightoni. Por Pochettino beson se “ata dinë si të sillen”.
“Unë nuk e shoh keq ardhjen e tyre. Për mua është gjithmonë mirë nëse ata flasin me mua e stafin tim, si dhe përshëndesin lojtarët. Për mënyrën se si ata vijnë, ata janë shumë të mirëpritur. Ata zotërojnë klubin, kështu që unë mendoj se ata mund të bëjnë çfarë të duan”, shtoi Pochettino.
I pyetur nëse pronarët mbajtën fjalim për lojtarët ose i kritikuan ata pas humbjes nga Aston Villa, Pochettino tha se nuk e bënë një gjë të tillë. Sipas tij, edhe pronarët së bashku më të tjerët e vuajtën humbjen nga Aston Villa.
“Është detyra ime nëse duhet të mbahet një fjalim. Pra, vetëm unë ose lojtarët, ose kapiteni. Nuk është detyrë e pronarit të vijë në dhomën e zhveshjes dhe të mbajë fjalim pas ndeshjes, pavarësish nëse fitojmë apo humbim”, shtoi Pochettino.
Pochettino foli edhe për largimin në heshtje të trajnerit të ekipit të parë, Bruno Saltor. Saltor iu bashkua Chelseat si pjesë e stafit stërvitor të Graham Potterit dhe ai veproi si trajner i përkohshëm i Chelseat kur ish-trajneri i Brightonit u shkarkua pas vetëm 31 ndeshjesh në krye.
“Ishte një vendim mes klubit dhe Brunos. Ai nuk i përkiste stafit tim stërvitor dhe nuk kam çka të shtoj më shumë”, u shpreh Pochettino, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të sjellë zëvendësuesin e tij.