Prishtinë, 3 mars – Ka kaluar një muaj prej se mbrojtësi Alban Pnishi ka shkëputur kontratën me klubin e futbollit Feronikeli. Me të shkëputur kontratën, Pnishi i është drejtuar edhe FIFA-s, prej së cilës kërkon ndihmë për kompensim të pagave nga klubi i Drenasit.
Sipas tij, Nikli i detyrohet t’ia paguajë të gjitha pagat nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri më 30 qershor të këtij viti. As Pnishi e as te Feronikeli nuk kanë treguar se sa ka qenë paga mujore e lojtarit. Mirëpo, KOHA nga burimet e saj brenda Feronikelit ka marrë vesh se Pnishi është paguar rreth katër mijë euro në muaj. Dhe, në rast se Feronikeli e humb rastin në FIFA, i bie që do të detyrohet t’ia paguajë rreth 32 mijë euro ish-mbrojtësit të Përfaqësueses së Kosovës. Por, te Feronikeli thonë se nuk kanë asnjë obligim ndaj Pnishit dhe se janë të bindur se do ta fitojnë rastin në FIFA. Pnishi insiston se është pishman që ka vendosur të luajë në futbollin kosovar, por është tepër i zhgënjyer me atë që i ka ndodhur, e që insiston se e ka dëmtuar shumë në karrierë. Ai tashmë është kthyer në Zvicër dhe po pret që kjo çështje të mbyllet nga FIFA në favor të tij.
“E kam shkëputur kontratën me Feronikelin, sepse nuk e kanë respektuar kontratën si duhet. Tash e kam dërguar rastin në FIFA që ta përmbushin kontratën që e kam deri në fund të sezonit. Nuk jam aspak pishman që kam ardhur të luaj për Feronikelin në Kosovë, sepse kam ardhur të luaj futboll, por pak jam i zhgënjyer se si ka ardhur puna në fund”, ka thënë Pnishi të mërkurën për KOHËN. “Më ka prishur shumë punë në karrierë, por në anën financiare shyqyr kam pasur kontratë të rregullt dhe tash FIFA merret me këtë çështje. Unë jam në Zvicër tash, në kërkim të ndonjë klubi. Por, besoj se në verë do të dalë diçka sërish”.
Mbrojtësi Pnishi ishte prezantuar nga klubi i Feronikelit më 19 gusht të vitit të shkuar si një goditje e fuqishme dhe si ish-reprezentues i Kosovës. Por, ende pa përfunduar stinori vjeshtor e ardhmja e tij te tri herë kampioni i Kosovës ishte vënë në pikëpyetje. Në Pnishin nuk ka llogaritur trajneri Klodian Duro, që në këtë post e kishte zëvendësuar Afrim Tovërlanin e larguar. Pnishi 30-vjeçar ka luajtur titullar te Feronikeli në katër ndeshjet e para të sezonit, e më pas është lënduar. Ndërkaq me trajnerin Duro, ai ka qenë në bankën e rezervistëve. Pnishi i ka edhe shtatë ndeshje me fanellën e Kosovës. Para kalimit te Feronikeli, ai kishte luajtur në Izrael te Bnei Yehuda. Ishte edhe në Graashopper e Wohlen në Zvicër.
Ndërkohë, zëdhënësi i Feronikelit, Erlind Krasniqi ka thënë se klubit ende nuk i ka ardhur asnjë njoftim nga FIFA në lidhje me çështjen e Pnishit. Por, ai thotë se klubi nuk ka asnjë obligim ndaj Pnishit. Madje, sipas tij, Feronikeli nuk e ka larguar Pnishin.
“Trajneri i ka treguar që nuk bën pjesë në formacionin e tij edhe që është i lirë të kërkojë klub. Ai nuk është përjashtuar asnjëherë nga klubi, ai edhe asnjë prej emrave që po qarkullojnë nëpër media. Se ku vendos ta dërgojë lëndën ai, është çështje e tij. Raste të tilla ndodhin çdo ditë në futbollin modern, kështu që nuk e di pse po i jepet kaq shumë fokus kësaj çështjeje. Kemi pasur edhe raste të tjera të ngjashme që klubi i ka fituar edhe në FIFA, edhe në FFK, sepse kemi qenë brenda rregulloreve. Klubi ende nuk është i informuar se çka kërkon, sepse nuk ka ardhur asgjë nga FIFA”, ka thënë Krasniqi.
Feronikeli nuk po kalon momente të mira në sezonin aktual - 2020/2021- të Superligës së Kosovës në futboll. Pas rezultateve jo të mira në fillim të edicionit, u largua trajneri Afrim Tovërlani. Vendin e tij e zuri trajneri nga Shqipëria, Klodian Duro. Por as me Duron gjërat nuk kanë ecur sipas planifikimeve, pasi skuadra është në vendin e gjashtë në tabelë me 27 pikë, ndërsa në çerekfinale të Kupës përballë do ta ketë Prishtinën. Kjo ndeshje do të luhet javën e ardhshme në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.