Trajneri i Viktoria Plzenit, Miroslav Koubek, ka thënë se skuadra që drejton është në formë të mirë dhe e gatshme për t’u ballafaquar me Dritën. Koubek ishte i qetë në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën pasdite në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ku do të zhvillohet dueli kthyes mes Dritës e Viktoria Plzenit.
Ndeshja i takon raundit të dytë kualifikues i Ligës së Konferencës. Zhvillohet të enjten prej orës 20:00. Skuadrat barazuan pa gola në Plzen të Çekisë javën e kaluar.
“Ekipi është në gjendje të mirë para duelit kthyes me Dritën. Jemi të gatshëm për lojë. Gjendja e ekipit është e mirë. Nuk e përdorim fjalën frikë në futboll. Dritën e respektojmë, por nuk i frikësohemi”, ka thënë Koubek.
Koubek tregoi se pas ndeshjes me Dritën, qendërmbrojtësi Sampson Dweh, kishte telashe me një lëndim, por e ka lënë prapa atë dhe është i gatshëm për të luajtur.
“Ekipi ynë ka lojtarë me eksperiencë dhe kjo është gjë e mirë para ndeshjeve të tilla. Por në anën tjetër edhe Drita ka lojtarë që kanë eksperiencë. Drita po luan për herën e katërt rresht në kualifikime dhe duhet vlerësuar. E dimë se çfarë është duke na pritur. E kemi një kundërshtare me kualitet dhe këtë tashmë e dimë nga ndeshja e parë. Do të jetë edhe atmosferë e zjarrtë në stadium dhe presim të shfaqim lojë të mirë”, ka deklaruar Koubek, që nuk deshi të flasë për panot anti-Kosovë të shfaqura nga grupi i tifozëve “Sektor-P” i Viktoria Plzenit në ndeshjen e parë.
Krahas trajnerit Koubek në konferencën për shtyp ishte edhe futbollisti i krahut të majtë, Jan Sykora.
Sykora pak a shumë pret ndeshje të ngjashme si në Çeki. Viktoria Plzeni dominoi lojën, por nuk arriti të shënonte gol. Ka mundur edhe të pësonte gol në anën tjetër, kur debutuesi te Drita, Albert Dabiqaj, në fundin e ndeshjes ishte i vetëm me portierin kundërshtar, por gjuajti jashtë.
“Nuk pres ndeshje krejtësisht të ndryshme. Drita ka kualitet në radhët e veta dhe ne kemi respekt për Dritën. Ne do të provojmë të shfaqim më të mirën nga vetja, kualitetin tonë. Këtë kualitet do të ta tregojmë në fushën e lojës dhe do të mundohemi të fitojmë që të kualifikohemi në raundin tjetër të garës”, ka thënë Sykora.
Viktoria Plzen ka hasur vështirësi në fillim të këtij edicioni, si në garat evropiane ashtu edhe në ligë.
Në dy ndeshjet e para të ligës çeke ka një humbje e një barazim.
Por Plzeni është prej skuadrave më të mëdha në Çeki. Ka gjashtë tituj të fituar e një Kupë. Është edhe dy herë fitues i Superkupës.
Në garat evropiane ka përvojë të madhe. Madje në edicionin e kaluar ishte pjesë e fazës grupore të Ligës së Kampionëve. Luajti në Grupin C, në të cilin ishin edhe Bayern Munichu, Barcelona dhe finalisti i “Championsit”, Interi.