Tahir Batatina është tashmë drejtor i përgjithshëm i klubit Llapi. Do ta mbajë edhe postin e trajnerit të skuadrës llapjane, ndërsa planet e synimet vazhdon t’i ketë të mëdha. Klubi i Llapit ka bërë organizim të ri, të cilin e ka prezantuar të martën. Beqir Batatina është kryetar, Bahri Ademi e Amrush Batatina nënkryetarë, Bejtush Batatina drejtor ekzekutiv, Tahir Batatina, drejtor i përgjithshëm dhe Abenit Sinani, drejtor sportiv. Pos të fundit, të gjithë janë në bordin e klubit, ku bëjnë pjesë edhe Gazmend Zhitia, Blerim Potera e Bledar Rudari.
Pos përgjegjësive në bord dhe si drejtor, Batatina do ta ketë edhe më tutje përgjegjësinë për ta përgatitur dhe udhëhequr skuadrën e Llapit.
Në edicionin tashmë të përfunduar, Llapi nuk ka arritur synimet.
“Unë do të mbetem trajner i skuadrës së Llapit. Pozita si drejtor i përgjithshëm mbetet vetëm në kuadër të kryesisë, si pjesë e ristrukturimit të kryesisë së klubit Llapi. Kemi nisur menjëherë përgatitjet për edicionin e ardhshëm dhe besojmë se me një organizim të mirë, ku përfshihet edhe ardhja e katër, eventualisht pesë lojtarëve, do të synojmë Evropën. Sivjet nuk kemi qenë mirë, por qysh tash kemi nisur organizimin për të arritur objektivat për kampionatin e ardhshëm. Do të futemi në kampionat për të arritur Evropën, pastaj ta shohim çfarë do të vijë rrugës”, ka thënë Tahir Batatina të martën për KOHËN.
Llapi nuk ka siguruar daljen në Evropë në edicionin e ardhshëm. Po ashtu nuk u është afruar trofeve. Disa prej transferimeve dëshmuan të lënë gjurmë.
“Do të krijojmë skuadër që do të luftojë për pozitat e para në tabelë. Kemi bërë një buxhet për kampionatin e ardhshëm që të jemi sa më të qëndrueshëm. Kemi nisur bisedimet me disa lojtarë. Do të ulemi të bisedojmë edhe me Hamdi Namanin. Ai ka qenë kapiten i Llapit dhe do të shohim më tutje për kushtet”, ka shtuar Batatina.
Namani të martën ka njoftuar për largimin nga Drita e Gjilanit.