Krah-qendrës amerikane, Will Daniels, i ka mjaftuar një stërvitje dhe një ndeshje për t’u konfirmuar si përforcim i qëlluar te skuadra e Bashkimit për pjesën e mbetur të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në basketboll.
Daniels të enjten e javës së kaluar zbarkoi në Prizren, të premten mbajti një stërvitje të lehtë dhe të shtunën debutoi me fanellën e Bashkimit. Për 20 minuta lojë sa i pati ndaj Vëllaznimit, Daniels realizoi nëntë pikë, pesë kërcime dhe dy asistime, ndërsa Bashkimi triumfoi me shifrat 78:64. Për Bashkimin ishte fitorja e parë pas pesë humbjeve rresht dhe Daniels ndihet i lumtur që tek ekipi i ri debutoi në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Është ndjenjë e mirë kur debuton me fitore dhe sidomos duke pasur parasysh se Bashkimi kishte pesë ndeshje pa fituar. Edhe pse iu bashkova ekipit dy ditë para debutimit tim, u mundova të jap më të mirën nga vetja”, tha Daniels për KOHËN.
Daniels (202 cm) te Bashkimi u zyrtarizua javën e shkuar, duke e zëvendësuar Brad Waldowin, i cili edicionin e shkuar fitoi titullin me Pejën, por që nuk bindi me paraqitje te skuadra nga Prizreni dhe u largua pas më shumë se një muaji qëndrim.
Daniels ishte i njoftuar për paraqitjet e Waldowit dhe pritjet prej tij, kur firmosi me Bashkimin. Basketbollisti me përvojë ka thënë se është i gatshëm ta ndihmojë ekipin nga Prizreni në arritjen e objektivave për këtë edicion.
“Firmosa me Bashkimin, sepse besoj në projektin që e ka. Ekipi po mundohet të ndërtojë diçka të veçantë pas startit të vështirë që e pati në kampionat. Ka një trajner të mirë, lojtarë, menaxhment dhe tifozë të mirë, gjë që më bëri të mos hezitoj për të pranuar të jem pjesë e këtij ekipi”.
Daniels 38-vjeçar e njeh mirë kampionatin e Kosovës, pasi vitin e shkuar ishte pjesë e Trepçës. Edhe për Trepçën luajti në stinorin pranveror dhe ndihmoi ekipin nga Mitrovica ta fitojë Kupën e Kosovës. Luajti edhe në serinë finale të plejofit, por Trepça u mposht nga Peja, e cila riktheu titullin pas një dekade. Daniels te Trepça luajti me mesatare prej 13 pikëve e 7 kërcimeve për ndeshje. U vlerësua lart për paraqitjet, përkatësisht për kontributin për skuadrën.
Amerikani e ka parasysh se synimet e Bashkimit nuk janë sikurse të Trepçës, por thotë se ato mund të rriten me kalimin e kohës, natyrisht nëse ka rezultate pozitive.
“Synimi aktual është të luajmë dhe të bëjmë paraqitje të mira, pra të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje. Çdo fitore do të jetë hap në drejtimin e duhur. Sigurisht, fitimi i ndonjë trofeu është qëllimi i madh, por ne duhet të vazhdojmë me procesin tonë të rritjes dhe këtë ta dëshmojmë në secilën ndeshje”, është shprehur Daniels.
Amerikani thekson se ka mundur të kthehet te Trepça këtë edicion, por nuk i është dukur e logjikshme një gjë e tillë. Thotë se me krenari do ta kujtojë kohën e kaluar në Mitrovicë dhe i falënderon të gjithë për përkrahjen që ia kanë dhënë.
“Oferta për t’u kthyer te Trepça nuk kishte logjikë për mua. E kam shijuar kohën time atje duke luajtur dhe duke fituar. Gjithmonë do ta kujtoj atë periudhë të karrierës sime. Gjithçka është profesionale në atë skuadër, ndërsa tifozët janë shumë pasionant pas ekipit të tyre dhe më vjen mirë që isha pjesë e Trepçës”, shtoi Daniels.
Daniels thotë se i ka shikuar ndeshjet e stinorit vjeshtor dhe ka përcjellë vazhdimisht rezultatet e skuadrave. Thekson se këtë edicion niveli është shumë i lartë sesa edicionin e shkuar.
“Liga e Kosovës është e fortë, me ekipe fantastike, lojtarë të mirë dhe shumë fizikë. Besoj gjithashtu se liga e Kosovës është më e fortë dhe më konkurruese se vitin e kaluar, nga ndeshjet që kam parë. Liga dhe skuadrat meritojnë reputacionin e të qenit të fortë dhe profesionistë, gjë që do të vazhdojë të tërheqë lojtarë të mirë. Është gjithmonë e vështirë të arrish objektiva të nivelit të lartë në këtë kampionat”, tha Daniels.
Edhe këtë edicion, Daniels është njëri prej lojtarëve më të vjetër në Superligë dhe me më së shumti përvojë. Para ardhjes në Kosovë, Daniels ka luajtur edhe në shumë shtete gjatë karrierës së tij. Krahas SHBA-së, Daniels ka luajtur edhe në Republikën Dominikane, Liban, Meksikë, Porto-Riko, Francë, Gjermani, Greqi, Izrael, Kore të Jugut, Austri, Rusi, Turqi dhe Uruguai.
Aktualisht, skuadra e Bashkimit zë vendin e gjashtë në tabelë pas 16 xhirove të zhvilluara në Superligë. Ka tubuar 21 pikë, sikurse Proton Cable Prizreni që është i parafundit, skuadra që kanë regjistruar nga pesë fitore karshi 11 humbjeve.
Në fundjavë Bashkimi luan ndaj Istogut. Synohet fitorja, kurse për Danielsin do të jetë rast i mirë për t’u komponuar edhe më shumë me skuadrën.