Prej këtij viti Kosova ka kampionin e parë evropian. Jo vetëm në xhudo, por në të gjitha sportet. Kosova kishte fitues të medaljeve botërore e evropiane. Kishte kampionë evropianë për grupmosha të reja. Por me xhudistin Akil Gjakova e ka kampionin e parë evropian në nivelin e të rriturve.
Suksesin kulmor kontinental Akili e arriti në Lisbonë të Portugalisë më 17 prill. Akili triumfoi në kategorinë deri 73 kilogramë, që vlerësohet kategoria me konkurrencën më të madhe.
Në Lojërat Olimpike të Tokios u rendit i shtati, ndërsa kishte bilanc prej tri fitoresh e dy humbjeve. Akili me rezultate ende është prapa xhudisteve, por titulli evropian dëshmon për vlerat që i ka si sportist.
Pas Tokios, ai ka rritur punën dhe synim tani e ka medaljen olimpike në “Parisi 2024”.