Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”. Mposhti Gjeorgjinë si mysafire me rezultatin 1:0 me golin e Vedat Muriqit. I njëjti lojtar e shpëtoi Kosovën nga disfata në Prishtinë në duel me Greqinë, të dielën. Ndeshja u mbyll 1:1 falë golit në kohën shtesë që e shënoi futbollisti nga Prizreni, i cili ka 17 gola me “Dardanët” dhe është shënuesi më i miri.
Loja e Kosovës kundër Greqisë, pavarësisht barazimit, është kritikuar shumë nga njohësit e futbollit në vend. Futbollistët kosovarë goditën vetëm një herë brenda kornizës së portës, ku realizuan gol.
Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, thotë për KOHËN se Përfaqësuesja ka probleme të mëdha në lojën e saj. Sipas tij, trajneri Bernard Challandes ende nuk ka arritur të krijojë një filozofi të lojës.
“Ka probleme të mëdha. Ne ende nuk po mundemi të krijojmë. Është viti i tretë apo i katërt dhe ne ende nuk po mund të krijojmë një filozofi të qartë apo t’ia japim një definicion ekipit tonë. Këtu pak jam konfuz dhe nuk po di as si ta quaj këtë”, u shpreh Sejdiu.
Ai kritikon edhe mënyrë e qasjes së Challandesit. Sejdiu thotë se në disa momente duket që mungon edhe motivi te Përfaqësuesja.
“Një trajner që nuk gëzohet. Normal ai e ka stilin e vet, por duhet të veprohet ashtu siç e kërkon situata. Ai ritmi është mënyra se si ti reagon, pra kur është momenti të reagohet qetë reagon qetë, kur është momenti të jesh më agresiv, më temperament për të dërguar ekipin përpara, duhet të reagohet në atë formë. Pra, varësisht prej situatës, t’i duhet të kesh reagimin. Kjo është ajo pjesa, trajneri ftohtë, ekipi edhe më ftohtë. Është duke humbur dhe nuk e ka atë agresivitetin e duhur, nuk e ka motivin. Jo që nuk janë të motivuar, pasi ai është trajner dhe i motivon. Por ne nga jashtë e shohim një ekip që do të thotë nuk është i motivuar, nuk është agresiv, nuk e ka atë dëshirën e madhe për të ndryshuar diçka përbrenda. Ti mund të hysh në lojë dhe të pranosh gol, por pastaj reagimi yt si duhet të jetë”, deklaroi Sejdiu.
Sipas trajnerit dhe profesorit të futbollit, Bylbyl Sokolit, Përfaqësueses së Kosovës duhet t’i kthehet entuziazmi që ishte deri para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se nga ky ekip Challandesi po e nxjerr maksimumin.
“Ekipi i Kosovës ka cilësi dhe i duhet kthimi i atij entuziazmi që e patën deri në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut. Në këtë moment ekipit po i kthehet atmosfera dhe vetëbesimi dhe se nga ky ekip po nxirret maksimumi”, u shpreh Sokoli.
Ai foli edhe për dy ndeshjet që Kosova i zhvilloi në fillim të këtij muaji, ndaj Gjeorgjisë dhe Greqisë. Sokoli mendon se me pak angazhim Kosova ka mundur ta fitojë takimin ndaj Përfaqësueses greke.
“Ndeshja e parë ishte më shumë dëshirë për të arritur fitoren e cila u realizua. Ndeshja e dytë kundër Greqisë tregoi se Kosova ka përbërje e cila mund të fitojë ndaj një ekipi i cili dikur ishte kampion i Evropës. Loja kundër Greqisë ishte me mjaft disiplinë dhe me vetëbesim se ndaj këtij kundërshtari mund të fitohet ndeshja. Rezultati ka mundur të jetë edhe më i mirë, por edhe ky rezultat është i favorshëm për Kosovën”, shtoi Sokoli.
Trajneri tjetër i futbollit, Erdin Hashani, që drejton Vjosën në Ligën e Dytë, thotë se Kosova po ka probleme kur po përballet me ekipe cilësore.
Sipas Hashanit, te Kosova ka edhe lojtarë të paprekshëm.
“Sikur kemi disa lojtarë të paprekshëm te Kosova. Hiç disa lojtarë, Rashicën, Alitin dhe portierin Muriq që kanë minutazhë në ekipet e tyre, të tjerët nuk kanë. Ne jemi në atë krizën ku lojtarët tanë nuk po kanë minuta në ekipet e tyre dhe kjo pak a shumë është duke u vërejtur. Golin që e pësuam ndaj Greqisë, mendoj që është gabim i vijës së mbrojtjes. Pavarësisht që Rrahmani është lojtari kyç i yni, ndonjëherë duhet të bëjnë ndryshime. Apo Rashica, nga i cili ende nuk e kemi parë më të mirën te Kosova. Ai ka potencial, por nuk është duke prodhuar te Kosova”, tha Hashani.
Kosova do të përballet të mërkurën me Spanjën, takim që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe nis nga ora 20:45. Ndeshjen e parë në Sevilla, “Dardanët” e kanë humbur 3:1. Në këtë ndeshje do të mungojnë Lirim Kastrati dhe Besar Halimi për shkak të kartonëve. Në dyshim mbetet Valon Berisha që ka pësuar një lëndim të lehtë ndaj Greqisë. Shkaku i mungesave, përzgjedhësi Bernard Challandes e ka ftuar futbollistin e Dritës, Muharrem Jasharin.
Me katër pikë, Kosova zë vendin e tretë në Grupin B kualifikues për Botëror. Ka dy humbje, nga Spanja dhe Suedia, një fitore kundër Gjeorgjisë dhe barazimin me Greqinë.