Sport

Përfaqësuesja kthehet në “Minatorin” e zjarrtë, aty ku fillimisht e priti Ukrainën

Përballja e së dielës me Norvegjinë kthen në kujtesë ndeshjen e parë që përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e ka luajtur si vendase. Ishte ndeshja e 3 shtatorit të vitit 2016 ndaj Ukrainës. Ajo ndeshje ishte luajtur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Në palestrën e njohur si njëra prej më të zjarrtave në vend, Kosova luan të dielën mbrëma (19:00) ndaj Norvegjisë.

Ndeshja i takon Grupit C të raundit të parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.

Kualifikimet për “Eurobasket 2017” ishin të parat për Kosovën. Ndeshja e parë zyrtare e Kosovës ishte luajtur në Lubjanë ndaj Sllovenisë, më 31 gusht të vitit 2016. Sllovenia kishte fituar bindshëm, 113:68. Menjëherë më 3 shtator 2016, Kosova në “Minatori” në praninë e 2.500 shikuesve, kishte pritur Ukrainën. Ukraina kishte fituar me shifrat 70:63, por për kohë të gjatë ndeshja ishte e barabartë. Çereku i parë përfundoi 17:17, ndërsa të dytin e fitoi Kosova, 17:15. Për dy pikë çereku i tretë i takoi Ukrainës, ndërsa vendimtar ishte çereku i fundit.

Prej lojtarëve aktualë të Kosovës në atë ndeshje ishin paraqitur Dardan Berisha, Drilon Hajrizi e Fisnik Rugova. Pjesë e përfaqësueses ishin edhe Edmond Azemi, Justin Doellman, Yll Kaçaniku, Granit Rugova, Gazmend Sinani i ndjerë, Jaren Sina e Leonard Mekaj. Përzgjedhës ishte Arben Krasniqi.

Më i miri te Kosova ishte Justin Doellman, që mbetet lojtari më cilësor i natyralizuar nga përfaqësuesja deri më tani. Ishin dalluar edhe Drilon Hajrizi e Fisnik Rugova.

Përkrahja e tifozëve në atë ndeshje me Ukrainën ishte e madhe.

“Tifozët gjithmonë na kanë përkrahur dhe besoj se kështu do të jetë edhe të dielën. Basketbolli luhet për tifozë. Jemi shumë të lumtur që do të kemi përkrahjen e tyre. ‘Dardanët’ gjithmonë kanë krijuar atmosferë të jashtëzakonshme dhe ky është motivim i madh për ne, sidomos në momentet vendimtare të takimit”, ka thënë të shtunën Drilon Hajrizi, që pritet të jetë njëri prej bartësve të lojës te Kosova.

Te Kosova aktualisht është një tjetër lojtar i natyralizuar. Bëhet fjalë për fundorin Scott Bamforth. Ai është kthyer në përfaqësuese pas gati pesë vjetësh.

“Jam i lumtur që jam rikthyer. Sigurisht që besojmë në fitore. Kemi ekip shumë të mirë dhe duam të fitojmë para tifozëve tanë. Ata janë motiv shtesë për ne. Më kujtohet se na kanë përkrahur gjithmonë dhe besoj se kështu do të jetë edhe nesër”, ka thënë Bamforth.

Për shkak të disa cikleve jo shumë të suksesshme, Kosova ka rënë në raundin e parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Janë tri raunde parakualifikuese. Prej raundit të parë në të dytin kalojnë vetëm përfaqësueset më të suksesshme, përkatësisht fitueset e grupeve dhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë prej tri grupeve sa janë gjithsej.

Danimarka, Kosova e Norvegjia kanë nga një fitore e një humbje në grupin C. Kosova ka humbur nga Norvegjia dhe e ka mposhtur Danimarkën, në nëntor. Ndërkohë, Danimarka e ka mposhtur Norvegjinë të enjten. Kështu që grupi është plotësisht i hapur dhe shumë do të varet prej ndeshjes që luhet të dielën në palestrën buzë lumit Ibër.

Shpresat janë për një rezultat tjetër në krahasim me atë që ishte në atë ndeshje historike me Ukrainën.