Agon Ramadani mbajti një fjalim frymëzues në ditën e tij të parë si selektor i Kosovës në futbollin e sallës.
Ramadani, që u zyrtarizua selektor i Kosovës në futsall më 4 shkurt, pesë minutat e para të stërvitjes i shfrytëzoi për t’u treguar lojtarëve se me punë, disiplinë e vetëbesim, mund të arrihet suksesi. Ramadani, bashkë me ndihmësit, Getart Hyseni e Arbnor Krasniqi, drejtuan stërvitjen e parë për duelin vendimtar ndaj Holandës, të dielën mbrëma në Obiliq.
Ndeshja me Holandën për Kosovën është e fundit kualifikuese për Kupën e Botës që mbahet këtë vit. Kosova e Holanda takohen të premten në Prishtinë.
Në vizitën që KOHA ia bëri “Dardanëve” në Obiliq, selektori i ri tha se është i bindur që ky grup do ta jap maksimumin e do të luftojë deri në fund për fitore.
Në listën e Ramadanit, që u publikua ditë më parë, janë disa emra të rinj. Në stërvitjen e parë ishin të pranishëm 15 lojtarë. Të hënën grupit i bashkohet edhe Meriton Salihu, që luan në elitën zvicerane.
“Dihet se Holanda është kombëtare që luan nëpër garat më të mëdha, qoftë në Kampionatin Evropian qoftë në Kampionatin Botëror. Ne vijmë prej tri humbjeve që i kishim më herët. Mirëpo, nëse arrijmë ta mposhtim Holandën, atëherë do të vendosë ndeshja Ukraina - Holanda për përcaktimin e grupit dhe vendit të dytë që mundëson të luash në plejof. E di që te Holanda ka ndryshime. Janë rikthyer dy marokenë që e mbajnë barrën kryesore. Mirëpo, është punë e tyre, neve na mbetet të punojmë edhe në këto gjashtë seancat e tjera që kanë mbetur”, ka thënë Ramadani.
Kapiteni Jeton Rukovci dhe Melos Kelmendi, që luajnë në Çeki, do të mungojnë shkaku i telasheve me dokumentacion, përkatësisht për faktin se vizat i kanë me vetëm një hyrje në Çeki. Drilon Maxharraj është i suspenduar, shkaku i kartonëve, ndërsa Dardan Topilla mungon për arsye familjare. Kjo katërshe vlerësohet mungesë e madhe.
Por, rikthimi i Ramadan Alajt është një lehtësim për përzgjedhësin Ramadani. Ai pret nga Alaj që skuadrës t’i jap ritëm.
Alaj i është gëzuar kthimit te Kosova, teksa shtoi se lëndimet i ka lënë prapa.
“Shumica në grup janë lojtarë që luajnë në ligën e Kosovës, përpos dy-tre lojtarëve. Por, lojtarët janë mjaftë cilësorë. Janë djem të rinj, me kapacitete të mëdha. Iu nevojitet pak përvojë, por besojmë që ta kalojnë edhe këtë pjesë dhe të piqen edhe më shumë me futsallin”, është shprehur Alaj.
Portieri Bajram Ramadani, që ka përvojë të madhe në futsallin kosovar, theksoi se pavarësisht se me lojtarë të rinj në moshë, grupi është me kualitet.
“Shumica janë pak të rinj në moshë sepse kemi mungesa, por janë djem të rinj dhe kanë kualitet. Pritet shumë prej tyre. Gjasat janë të mira për ta kaluar grupin, edhe pse me pak fat do të mundeshim që edhe në ndeshjen e parë të fitojmë. Por me vullnet dhe angazhim besoj që do të kualifikohemi”, është shprehur Ramadani.
Kosova ka tri disfata në grupin 11 dhe është e fundit në tabelë. Ukraina është e para me nëntë pikë, ndërsa Holanda e dyta ka tri pikë. Kosova e synon vendin e dytë.
Fituesit e 12 grupeve avancojnë në “Elite Round”, bashkë me katër skuadrat më të mira të vendit të dytë.