Në Rumani i kanë dhënë shumë rëndësi përballjes kundër Përfaqësueses së Kosovës. Kosovën e kanë vlerësuar si rivale direkte të Rumanisë për një vend në Kampionatin Evropian 2024. Përballja Kosovë – Rumani do të zhvillohet të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. I takon Grupit I kualifikues për Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Por, për Përfaqësuesen rumune të futbollit, kjo nuk është hera e parë që e viziton Kosovën. Saktësisht 44 vjet më parë, Rumania luajti një ndeshje në Kosovë. Më 31 tetor të vitit 1979, Rumania luajti në stadiumin e qytetit në Mitrovicë. Rumania në Mitrovicë pati pësuar disfatë nga ish-Jugosllavia me rezultatin 2:1 para rreth 25 mijë shikuesve.
Golashënues ishin Zlatko Vujoviq dhe Blazh Slishkoviq, ndërsa për rumunët golin e nderit e pati shënuar Marcel Raducanu. Ndeshja i takoi grupit 3 kualifikues për “Euro 1980”. Rumania dhe ish-Jugosllavnia nuk arritën të kualifikohen në Evropianin e vitit 1980. Rumania pati përfunduar e treta me gjashtë pikë, kurse ish-Jugosllavia e dyta me tetë pikë. Grupin e pati fituar Spanja me nëntë pikë, kurse e fundit mbeti Qiproja me një pikë të fituar. Stadiumi ikonik buzë lumit Ibër në Mitrovicë sot është gërmadhë. Me gjendjen aktuale, “Adem Jashari” vetëm stadium nuk mund të quhet. E aq më pak ta mbajë emrin e komandantit legjendar. Në atë gjigant sportiv vite më parë ka nisur një renovim, por punët janë ndërprerë shpejt dhe nuk po nisin më. Avni Haxhiu, thotë se ka qenë prezent në stadiumin e Mitrovicës ku atëbotë Rumania pati luajtur ndaj ish-Jugosllavisë. Thotë se ishte ditë feste për qytetin e Mitrovicës.
“Isha para një javë për të parë nëse ka lëvizur ndonjë gur, por nuk pash as punëtor, madje as rojën nuk e takova. Prej vitit 2018 ne nuk jemi prezentë në stadium. Na ka dëmtuar shumë, por e ka humbur edhe vullnetin e qytetarëve mungesa e stadiumit”, ka thënë koordinatori i klubit Trepça, Avni Haxhiu.
Aktualisht, Kosova ka vetëm një stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare të përfaqësues dhe klubeve të futbollit. “Fadil Vokrri” ka pritur dhe do të vazhdojë të presë shumë përfaqësuese e klube evropiane. Edhe ndeshjen ndaj Rumanisë dhe të tjerat si vendase, Kosova do të vazhdojë t’i luajë në stadiumin e Prishtinës, që po ashtu mban emrin e një legjende të futbollit shqiptar. Ndeshja në mes të Kosovës dhe Rumanisë do të zhvillohet të premten nga ora 20:45 dhe i takon Grupit I kualifikues. Pjesë e këtij grupi janë edhe Zvicra, Izraeli, Andorra dhe Bjellorusia.
Rumania ka fituar dy ndeshjet e para në grup, sikurse Zvicra, me të cilën janë lidere. Ndërkohë, Kosova i ka dy barazime dhe renditet e treta. Ndeshja e 16 qershorit do të jetë vendimtare, sidomos për Kosovën që synon të paktën pozitën e dytë, e cila garanton pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian.