Sport

Pensionohet Liridon Kukaj, mbrojtësi që u përball edhe me Ronaldon e Raulin

Karrierës 21-vjeçare në futboll mbrojtësi, Liridon Kukaj, i ka dhënë fund të enjten. Ai luajti deri në minutën e 76-të në triumfin e KEK-ut kundër Trepçës, 1:0, në kuadër të Kupës së Kosovës. Drejtuesit dhe lojtarët e KEK-ut e nderuan Kukajn me një fanellë të vendosur në ram, me numrin 21.

Kukaj, 38-vjeçar, zgjodhi KEK-un si skuadër ku do t’i jepte fund karrierës si lojtar. Ai ka thënë se këtë moment e kishte menduar edhe më herët.

“Të them të drejtën, pensionimin e kam menduar diku para një viti. Por, ishte presidenti i KEK-ut, Besnik Mjeku, i cili çdoherë më ka kërkuar që të vazhdojë edhe për gjashtë muaj, pastaj edhe gjashtë muaj të tjerë. Këto 24 orët e fundit nuk kanë qenë të lehta, pasi nuk ishte vendim i lehtë. Kam fjetur vetëm dy orë dhe sot luajta ndeshjen e fundit. Ishte një emocion që nuk mund ta përshkruash me fjalë, pasi kam pasur një karrierë të gjatë në futboll dhe nuk ka qenë e lehtë që të largohem”, tha Kukaj.

Gjatë karrierës Kukaj ka luajtur në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri.

Ai nuk do t’i ndahet futbollit. Kukaj tashmë është pajisur me licencën B të trajnerit.

“Unë jam pajisur me licencën B të UEFA-s, kurse në fillim të vitit 2022 do të filloj edhe licencën A të trajnerit. Do të vazhdoj të jem afër futbollit. Aspak nuk jam pishman që kam zgjedhur të luaj futboll, pasi ky sport dhe ky profesion më ka ndihmuar shumë që të njoh shumë njerëz, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Kosovës”, deklaroi ai.

“Një brengë që kam pasur vazhdimisht është koha që nuk kam mundur ta kalojë me familjen shkaku i futbollit. Bashkëshortja vazhdimisht më ka thënë se vikendeve nuk po mund të dalim, por tani i them se do të dalim. Të paktën në gjashtë muajt e ardhshëm do të pushoj dhe do t’i përkushtohem familjes. Familja ime ka qenë mbështetëse e madhe në karrierë. Po ashtu edhe bashkëshortja. I falënderoj të gjithë që më kanë përkrahur”.

Kukaj tregon momentin më të mirë në karrierë. Ai realizoi ëndrrën duke luajtur ndaj Raul Gonzalesit, me të cilin i kishte ndërruar fanellat.

“Kam luajtur kundër yjeve të Real Madridit, si Ronaldo, Raul, Iler Casillas e shumë të të tjerë. Por, të them të drejtën, unë e kam simpati Raulin. Në fillim na kanë thënë që të mos i kërkojmë fanellat, por në momentin që iu afrova Raulit ia kërkova fanellën dhe në mes të pjesëve ai ma dhuroi. Të luash ndaj Realit ka qenë ndër momentet më të mira në karrierën time”, u shpreh Kukaj.

Kukaj ishte pjesë e Gramozit nga Shqipëria, që në Tiranë kishte luajtur miqësore me Real Madridin. Ndodhi kjo në vitin 2010, kurse Reali ishte paraqitur me yjet e tij.

Image

Një titull të kampionit me Prishtinën, tri Kupa dhe po aq Superkupa me kryeqytetasit dhe nga një Kupë me Trepçën ’89 dhe Kosovën e Prishtinës janë sukseset e Liridon Kukajt. Thotë se për shkak të lëndimeve e dokumentacionit nuk ka mundur të luajë në ndonjë vend evropian. Por e ka shijuar skenën evropiane.

“Kam pasur oferta nga Azerbajxhani, nga Baku, por aty pengesë ka qenë pasaporta. Oferta ka qenë zyrtare, por shkaku i pasaportës së Kosovës nuk ma kanë mundësuar që të kaloj atje. Kam pasur ofertë edhe në Ukrainë te Vorskla Poltava, sa kanë qenë atje Armend Dallku dhe Debatik Curri”, shton Kukaj.

Futbollisti nga Prishtina tregon se disa klube i kanë mbetur borxh, por që ua ka falur. Ai ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.

“Borxh më kanë mbetur disa klube, por që ua kam fal, pasi në momentin që kaloja në klubin tjetër, borxhi harrohej. Kam qenë edhe pjesë e Kosovës, që nga U19, U21 dhe përfaqësuesja A, ku i kam luajtur disa ndeshje. Por, në ndeshjen e parë pas pranimit, nuk na ftuan fare neve që kemi kontribuuar shumë dhe ajo ka qenë ndoshta brenga më e madhe që kam”, tha Kukaj.

Liridon Kukaj është rritur te Kosova e Prishtinës, ku i ka kaluar të gjitha kategoritë e reja. Më pas ka veshur fanellën e Prishtinës, si dhe të Milanos së Kumanovës e Renovës në Maqedoninë e Veriut. Ishte edhe te Gramozi dhe te Vllaznia e Shkodrës në Shqipëri. Në Kosovë ka luajtur edhe te Trepça ’89, Ballkani dhe së fundmi te KEK-u.