Sport

Pejës i duhet fitorja ndaj skuadrës polake për të shpresuar në kualifikim

Kampionia e Kosovës në basketboll, Peja, e ka thuajse të detyrueshme fitoren në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të FIBA Europe Cup. Vetëm me fitore Peja mban gjallë shpresat për të avancuar në raundin tjetër. Pos fitores, Pejës për kualifikim i duhet që edhe rezultatet e ndeshjeve të fundit në grupet e tjera t’i shkojnë në favor.

Te Peja këtë e kanë parasysh dhe për këtë arsye do të futen vetëm për fitore ndaj polakëve të Spojnia Stargardit. Ndeshja Peja – Spojnia Stargard zhvillohet në palestrën “Karagaçi” të mërkurën prej orës 19:00.

Për ta mposhtur ekipin nga Polonia për herën e dytë, Peja llogarit edhe në përkrahjen e tifozëve, të cilëve u ka bërë thirrje që ta mbushin palestrën.

“Kampionët e Kosovës janë ende në garë për kualifikim tutje, me fitoren që është detyrim. Krejt nesër në palestër, të ecim së bashku me Pejën drejt historisë”, ka shkruar Peja në “Facebook”.

Si Peja ashtu edhe Spojnia Stargard kanë tubuar nga shtatë pikë. Por skuadra kosovare është e dyta në grup pasi ka triumfuar në Poloni me shifrat 83:79.

Prej Grupit H tashmë ka avancuar Niners Chemnitzi i Gjermanisë me pesë fitore në po aq ndeshje, ndërsa Peja e Spojnia Stargard po synojnë kalimin tutje nga pozita e dytë. Në raundin e dytë do të kualifikohen fituesit e dhjetë grupeve dhe gjashtë skuadrat më të mira të renditura në vendin e dytë. Aktualisht Peja është e parafundit në listën prej dhjetë skuadrave të vendeve të dyta. Por me fitore pozita e saj pritet të jetë dukshëm më e mirë.

Rezultatet me skuadrat e vendeve të fundit në grupe nuk merren parasysh për kualifikim tutje nga pozita e dytë, që do të thotë se Pejës nuk do t’i llogaritet fitorja dhe humbje me Heroes Den Bosch të Holandës, që tashmë është eliminuar.

Trajneri Rami Hadar nuk do ta ketë ekipin e kompletuar për këtë përballje. Lis Shoshi e Tervell Beck janë të lënduar, ndërsa në dyshim mbetet paraqitja e amerikanit Urald King. Ndërkohë Malcolm Armstead më nuk është pjesë e Pejës, pasi të martën e zyrtarizoi transferimin te Sigal Prishtina. Nuk do të luajë as Larry Thomas, i cili së fundmi i është bashkuar Pejës dhe ende nuk është i gatshëm për lojë.

Përkundër këtyre mungesave, amerikani Justin Edler Davis beson në fitoren e Pejës dhe kalimin në raundin tjetër. Davis, të martën ka thënë për KOHËN se kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, pasi vikendin e shkuar u është shtyrë ndeshja kampionale me Proton Cable Prizrenin për shkak të ndeshjes vendimtare me polakët. Humbja nuk është opsion për Pejën, pasi do të eliminohej automatikisht duke përfunduar e treta në grup.

“Pres një ndeshje tejet të vështirë, pasi të dyja ekipet do ta kërkojnë fitoren dhe mundësinë e kalimit të grupit. Megjithatë, jam i bindur se nëse aplikojmë lojën tonë atëherë do ta mposhtim Spojnia Stargardin edhe për herën e dytë dhe të shpresojmë që rezultatet e ndeshjeve tjera të na mundësojnë kalimin tutje. Përfundimisht nuk do të jetë lehtë por jemi gati për një paraqitje tjetër të mirë, pasi jemi përgatitur maksimalisht. Edhe me përkrahjen e madhe të tifozëve tanë besoj se do të jemi të suksesshëm në fund dhe do të vazhdojmë garat në FIBA Europe Cup”, tha Edler Davis.

Për Pejën kjo është hera e dytë që paraqitet në këtë fazë të garave në kuadër të FIBA Europe Cup. Në vitin 2017, Peja u eliminua në fazën e parë pasi përfundoi në pozitën e fundit në grup me vetëm një fitore.

Peja po merr pjesë në grupet e FIBA Europe Cup pasi u eliminua në çerekfinale të turneut kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Në pesë ndeshje të zhvilluara deri më tani në FIBA Europe Cup, Peja ka dy fitore e tri humbje.