Peja ka mbetur pa njërin prej lojtarëve më të mirë, amerikanin Jacob Calloway.
Ai ka kaluar te skuadra kampione nga Islanda, Tindastoll. Por Calloway nuk është larguar në mënyrë të zakonshme nga kampionja e Kosovës.
Sipas një njoftimi që Peja e ka lëshuar të martën, Calloway është larguar pa paralajmërim të hënën nga qyteti i Pejës.
“Më vonë kemi kuptuar që një ekip nga Islanda ka siguruar shërbimet e tij, por pa marrëveshje me klubin tonë, duke e bërë kalimin e tij tek ai klub të pamundur për momentin”, ka njoftuar KB Peja.
Sipas njoftimit, Calloway nuk ka pasur asnjë problem te Peja, as brenda skuadrës e po ashtu asnjë konflikt personal.
“Për dëmin e shkaktuar nga basketbollisti në fjalë, KB Peja njofton se do të ndjekë të gjitha procedurat e duhura ligjore”, ka shkruar Peja.
27-vjeçari edhe më herët ka luajtur në Islandë, ndërsa te Peja ishte prej lojtarëve kryesorë. Ai mungoi në fundjavë në derbin me Trepçën, me arsyetimin e klubit se ishte i lënduar. Calloway ka luajtur edhe në Hungari, Kolumbi, Çeki, Zvicër e SHBA.
Në Islandë kishte fituar titullin e kampionit në edicionin 2021/2022. Ishte bashkëlojtar me trajnerin aktual të Tindastollit, Paver Ermolinskij.
Tindastolli, që është kampion në fuqi, ka shkruar se me Callowayn ka firmosur kontratë të vlefshme deri në fund të edicionit.
Nuk është hera e parë që klubet kosovare kanë telashe të kësaj natyre me lojtarët e huaj.
Shpesh lojtarët kanë shfrytëzuar mosrespektimin e kontratës nga klubet për të ndërruar mjedis.