Sport

Peja me trajner turk dhe me disa përforcime vendore

Te klubi i basketbollit Peja po punojnë thuajse në heshtje për ta kompletuar ekipin për edicionin 2022/23, në të cilin synojnë të futen fuqishëm në garë për të gjithë trofetë e mundshëm. Klubi pejan tashmë ka arritur marrëveshje me një trajner nga Turqia, të cilin ende nuk e ka zyrtarizuar. Bëhet fjalë për trajnerin Can Sevim, i cili edicionin e fundit ishte në krye të ekipit elitar nga Turqia, Socar Petkimsport, kurse ka punuar edhe tek Ayfoni, po ashtu skuadër që garoi në Superligën turke.

Pasi e kanë kryer marrëveshjen me trajnerin, pejanët janë fokusuar te lojtarët vendorë dhe tashmë kanë zyrtarizuar Arian Qallakun e Arti Hajdarin. Qallaku edhe edicionin e shkuar ishte pjesë e Pejës, ndërsa Hajdari në dy edicionet e fundit ka bartur fanellën e Ponte Prizrenit, ku ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të ekipit.

Pos me Hajdarin e Qallakun, klubi pejan pritet së shpejti të arrijë marrëveshje edhe me tre vendorë të tjerë – Dardan Berishën, Daniel Lekndrejajn e Lis Shoshin. Këtë e ka konfirmuar kryetari i klubit, Fatmir Gashi, për KOHËN.

Gashi është i bindur se marrëveshja do të arrihet edhe me këtë treshe të vendorëve.

Berisha ishte kapiten dhe lider i Pejës edicionin e fundit, në të cilin e ndihmoi të triumfonte në Ligën Unike. Edhe Lekndrejaj ishte pjesë e Pejës, kurse Shoshi ka pauzuar kohët e fundit për shkak të një lëndimi. Ai ishte së fundi në Izrael.

“Kemi filluar tashmë me përforcimet për sezonin e ri. Tashmë kemi arritur marrëveshje me Arti Hajdarin e Arian Qallakun, të cilët janë lojtarë tejet kualitativë dhe jemi shumë të kënaqur që do ta bartin fanellën e ekipit tonë për sezonin e ri”, ka thënë Gashi. “Jemi duke vazhduar bisedimet edhe me Dardan Berishën, Daniel Lekndrejan e Lis Shoshin dhe po besoj se mund të arrijmë marrëveshje që të jenë pjesë e ekipit për edicionin e ri”.

Gashi ka pranuar se vështirësitë më të mëdha po janë në angazhimin e lojtarëve vendorë për shkak të tregut të varfër. Sa u përket të huajve, ai ka thënë se gjithçka është në duart e trajnerit Sevim. Sipas Gashit, do të jetë trajneri turk ai që do ta bëjë përzgjedhjen e të huajve për edicionin e ri.

Edicionin e kaluar te Peja janë bërë shumë ndërrime të lojtarëve të huaj dhe Gashi është i bindur se për edicionin 2022/23 klubi do të sjellë përforcimet e duhura, që do ta bëjnë dallimin në parket.

“Sigurisht që në aspektin e lojtarëve vendorë po e kemi më të vështirë që të sjellim përforcime, pasi tregu është më i vogël. Por besoj se do të ndërtojmë një skuadër të fortë për sezonin e ri. Sa u përket lojtarëve të huaj, jemi ende në hulumtim të tregut dhe mund të them që përzgjedhjen e lojtarëve të huaj do ta bëjë trajneri Can. Kështu që besoj se do të sjellim lojtarë kualitativë që mund ta bëjnë diferencën”.

Gashi është i bindur se edicioni 2022/23 do të jetë edhe më interesant dhe më i fortë se edicioni i kaluar. I pari i klubit pejan bazohet në përforcimet që skuadrat kosovare tashmë kanë filluar t’i bëjnë. Golden Eagle Ylli, si kampion i Kosovës, do të paraqitet në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe tashmë po kompletohet për edicionin e ri. Ndërkohë, Trepça që triumfoi në Kupën e Kosovës, krahas vendorëve si Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiq, ka zyrtarizuar edhe dy lojtarë të huaj. Trepça së bashku me Sigal Prishtinën do të paraqitet në raundet kualifikuese të FIBA Europe Cup.

Peja pritet të paraqitet në Ligën Unike. Gashi ka thënë se Peja edhe në kampionatin e ri do të futet me synime të mëdha. Ai ka pranuar se synimi primar i Pejës është titulli i kampionit të Kosovës, sukses ky që i mungon ekipit tashmë një kohë të gjatë.

“Në edicionin 2022/23 kampionati do të jetë edhe më interesant, pasi pothuajse të gjitha klubet janë duke krijuar skuadra të forta, me përforcime të mira për edicionin e ri. Besoj se edhe ne do të jemi skuadër e fortë dhe sigurisht që synojmë të luftojmë për të gjithë trofetë”, është shprehur Fatmir Gashi. “Mund të them se synimi kryesor mbetet titulli i kampionit, pasi është një trofe që na mungon për një kohë të gjatë”.

Peja edicionin e shkuar e mbylli me trofe. Fitoi Ligën Unike, derisa u mposht në gjysmëfinale të plejofit nga Trepça dhe u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.